Një mbrëmje e veçantë kulturore dhe artistike është mbajtur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit. Familjet ulqinake të Durrësit patën rastin të ndjekin koncertin e zhvilluar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi, e cila drejtohet nga Gzim Hajdinaga. Aktiviteti në fjalë nisi më nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes palës së Ulqinit dhe shoqatës Ulqini në Durrës.

Gzim Hajdinaga u shpreh në këtë aktivitet se: “Në Durrës ka një numër të konsiderushëm familjesh me origjinë nga Ulqini dhe për këtë asrye mbahet kjo mbrëmje artistike. Në duam të kujtojmë dhe vlerësojmë ish-drejtuesit e  shoqatës Ulqini në Durrës që kanë dhënë kontribut të çmuar ndër vite.

Nga ana tjetër ne firmosëm edhe një marrëveshje bashkëpunimi në të cilin ka disa nene që flasin për shkëmbimin e kulturës midis dy qyteteve tona dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta. Një ndër ta mund ta njoftoj, bëhet fjalë për aktivitetin për kapedanët apo detarët ulqinakë, të cilët janë të famshëm si në Ulqin ashtu edhe në Durrës dhe këtë mendojmë ta zhvillojmë në muajin Maj”.

Gjatë mbrëmjes u shpërndanë certifikata mirënjohje për familjet e ish-kryetarëve të shoqatës Ulqini në Durrës, Kabil Haxhimolla, Eqrem Lazoja dhe Zyhni Beqiraj, të cilat iu dorëzuan pasardhësve të familjeve në fjalë. Të pranishmit ndoqën këngë qytetare dhe valle ulqinake interpretuar nga grupi folklorik “Olcinium” si dhe grupi muzikor “Acoustic Band”.