Nga Agron Duka*
Në këtë parlament, përveç disa punëve vërtet të mira që kemi bërë, siç qe së fundmi miratimi i Reformës në Drejtësi, jo rrallëherë jemi ndodhur në situatë absurde. Salla e parlamentit është kthyer në sallë teatri, të një teatri absurd, ku atë që thotë i pari e mohon i dyti. Atë që ndërton njëri e prish tjetri. Akoma më keq kur të njëjtë persona e kundërshtojnë veten me argument që nuk bindin as veten e tyre e jo më publikun, edhe ata vetë e kanë të qartë se në të dyja rastet qëllimi ka qenë dhe mbetet përfitimi politik. Në relacionin e vitit 2013 për disa shtesa e ndryshime në ligjin 10463 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” ndër të tjera thuhet se: “Dispozitat që lejojnë importin e mbetjeve me qëllim riciklimin e tyre në Shqipëri, bien ndesh me direktivën e BE-së për zbatimin e parimit të vetëmjaftueshmërisë aftësisë (neni 16) çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit”, ndërsa në relacionin e paraqitur sot thuhet: “Ndryshimet ligjore të propozuara gjithashtu do të mundësonin plotësimin e një prej kritereve të integrimit, të nënvizuara si të paplotësuara në raport-progresin e fundit të BE-së”. Të krijohet përshtypja sikur BE ka dy qëndrime të ndryshme për këtë çështje por nuk është kështu, konfuzioni krijohet nga përdorimi i neneve apo orientimeve jo në kompleksitetin e tyre por sipas kontekstit që u intereson politikanëve në periudha të ndryshme. Pikërisht kjo po ndodh me propozimin e projektligjit të sotëm për importimin e mbetjeve. Atë që kishte vendosur qeveria e mëparshme e prishi qeveria e tanishme. Atë që kishte vendosur kjo qeveri, kërkojnë ta anulojnë tre deputetë, argumentet e para tre vjetëve mohohen sot, e kështu me radhë.
Tre deputetët propozojnë anulimin dhe ndryshimin e thelbit të ligjit të vitit 2013për importin e mbetjeve të ngurta. Po çfarë ndodhi që kërkohet të anulohet vendimi i parë simbolik i kësaj qeverie dhe të lejohet importi i mbetjeve? Ne relacionin e propozuesve, për të argumentuar ndryshimin e ligjit thuhet që janë përmirësuar laboratorët e Agjencisë së Mjedisit, janë kualifikuar punonjësit, dhe janë bërë përmirësime në dogana. Ne që e njohim mirë këtë sektor mund të pohojmë me siguri se asgjë esenciale nuk ka ndryshuar. Është po ai laborator që ka qenë para 4 – 5 vjetësh, nuk ka ndodhur asnjë kualifikim specifik i punonjësve si në laborator ashtu edhe në dogana.
A nuk ishte kjo qeveri e cila në vendimin e saj të parë në shtator të vitit 2013, për arsye thjesht demagogjike anuloi ligjin e qeverisë së mëparshme?
Në vitin 2013 mazhoranca si dhe disa analistë e ambientalistë në mënyrë demagogjike dhe spekulative përdorën termin “plehra” dhe jo termin “mbetje” që është një term i saktë ligjor. Këtu nuk është fjala për plehra siç ka pretenduar mazhoranca tri vite me parë, kur përpiqej të manipulonte opinionin e shqiptarëve se po ndalonte shkarkimin e kazanëve të plehrave të Europës për t’i sjellë në Shqipëri. Është fjala për mbetje të cilat janë lëndë e parë për industrinë, që po të trajtohen ashtu siç duhet kanë vlerë të lartë ekonomike dhe kanë ndikim pozitiv mjedisor dhe social duke hapur vende të reja pune.
Ndryshimin e ligjit tre vjet më parë e solli qeveria në parlament, pse nuk e sjell ajo sërish por fshihet prapa gishtit? Kjo është e çuditshme për të mos thënë qesharake. Ç’është kjo papërgjegjshmëri dhe mungesë serioziteti e qeverisë që ngjason me një ballo me maska. Pse qeveria nuk pranon që ka gabuar, duke bërë që industria vendëse akoma e re e riciklimit, të mos inkurajohet e mbështet, por të pengohet e dëmtohet? Qeveria tani e mësoi se fabrikat e riciklimit punojnë me 30% të kapacitetit? Se këto fabrika prodhojnë edhe për eksport, por me ligjin e saj të vitit 2013, eksporti është dëmtuar ose ndërprerë tërësisht, duke humbur miliona euro për ekonominë kombëtare?
Lind pyetja: Me këtë projektligj a do të zgjidhet problemi? Jam i bindur se problemi nuk zgjidhet. Situata aktuale e mbetjeve urbane vazhdon të jetë tejet problematike. Nga ana e pushtetit vendor që është i ngarkuar me ligj për këtë çështje, vazhdon indiferentizmi ndaj menaxhimit të mbetjeve dhe alokohen shumë pak fonde. Për ndarjen në burim dhe diferencimin e mbetjeve as që bëhet fjalë. Asnjë masë nuk është marrë nga bashkitë për ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Ky projektligj ka nevojë për amendamente ku mbetjet e vendit të trajtohen me përparësi. Duke u mbështetur te lista e gjelbër e mbetjeve e miratuar në Direktivat e Bashkimit Europian, të fokusohemi vetëm tek ato mbetje që riciklohen aktualisht në Shqipëri, siç mund të jetë plastika, letra, hekuri, alumini, tekstili dhe druri, dhe jo mbetjet e tjera për të cilat në Shqipëri nuk ekzistojnë kapacitetet ricikluese.
Projektligji duhet të përfshijë detyrime për qeverinë dhe bashkitë që të plotësojnë të gjitha instrumentet e kontrollit dhe të monitorimit, për të mos lejuar që mbetjet e rrezikshme apo mbetje të tjera të hyjnë në vendin tonë. Në këtë projektligj të përfshihen dispozita kalimtare për të kompensuar dëmet që i janë shkaktuar kompanive, disa prej të cilave janë në vështirësi të mëdha financiare.
Me gjithë respektin që unë kam për deputetët që kanë sjellë projektligjin në parlament unë nuk besoj që ata mund të zhbëjnë një gjë që e ka bërë një qeveri. Prandaj unë propozoj që projektligji të tërhiqet, dhe të risillet në parlament me amendamentet e nevojshme nga qeveria, e cila të thotë troç para shqiptarëve se ka gabuar, gabim që i ka kushtuar vendit dhe industrisë së riciklimit, se është sjellë në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Europian dhe se tani kërkon të korrigjojë gabimin e saj, edhe pse kjo bie erë manovre elektorale.
Për sa iu përket amendamenteve të paraqitura nga zoti Vasili për monitorimin e procesit, sipas meje nuk zgjidh asgjë sepse ka shumë pikëpyetje:
Së pari: Ky amendament duket se është bërë enkas për të flirtuar me shoqërinë civile. Ka dy rrugë, ose të lejohen si lëndë të para për industrinë ricikluese ose të mos lejohen sepse të parën e kërkon qeveria dhe të dytën e kundërshton shoqëria civile. Atëherë duket një gjë që nuk shkon. Me çfarë tagri shoqëria civile do të monitorojë specialistët të cilët janë shumë të kualifikuar. Kush qenkan këta specialistë të shoqërisë civile, të cilët me sa di unë gjysma që përkrahin këtë ide ose janë kundra importit të mbetjeve, siç i quajnë ata “plehrave”, janë shkrimtarë, janë artistë etj., të shkojnë dhe të monitorojnë këta specialistë kaq të kualifikuar në këta laboratorë kaq të sofistikuar? Jam i detyruar të them se kjo është veç një shkelje syri shoqërisë civile dhe nuk ka asnjë lloj leverdie. Këta persona të shoqërisë civile si do punojnë, gratis me një autorizim nga Ministria e Mjedisit, apo do të paguhen? Nëse do të paguhen do të bëhen shtojcë e administratës publike dhe nuk ka si të monitorojnë po do të jenë pjesë e saj.
Përfundimisht ky amendament më duket utopik dhe i pa realizueshëm. Shoqëria civile e bën punën e saj atje ku është jashtë parlamentit dhe nuk mund të bëhet shtojcë e qeverisë. Në asnjë moment, jo vetëm për këtë rast por qoftë edhe për punën e policisë, punën e Ministrisë së Kulturës, qoftë edhe për punën e qeverisë në përgjithësi dhe punën e politikanëve në përgjithësi. Shoqëria civile është gjithmonë në opozitë me ata që janë në qeveri, për ato probleme që nuk ecin. Nuk mund të bëhet shoqëria civile monitoruese direkt, kjo më duket butafori, më duket qesharake, më duket thjesht t’ua luajmë atyre që të jenë me për këtë rast, edhe qejfi na e ka për ta bërë këtë punë edhe frikë kemi sepse ata i kemi kundra, janë vota.
Kryeministri tha se “kemi laboratorë të sofistikuar, kemi zhvillime të reja, kemi njerëz super të kualifikuar” etj. Kjo nuk është punë laboratorësh, por është punë ndryshim-qëndrimi. Dje konsideroheshin plehra, sot konsiderohen lëndë e parë për industrinë ricikluese. Kështu që unë mendoj se ky ligj duhet të amendohet përsëri, të na bindni, të sillet nga qeveria dhe të votohet nga ne.
Fjala e mbajtur në seancën e djeshme të parlamentit
*deputet, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste





