Në prag të përballjes së rëndësishme të së shtunës, sulmuesi i Teutës, Klejdi Daci, ka folur për formën e skuadrës, objektivat dhe sfidën ndaj Tiranës.
Klejdi, si e vlerësoni momentin që po kalon Teuta?
Përpos rezultateve të fundit atmosfera është pozitive. Kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe besoj se skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje. Kemi më shumë besim dhe kjo do reflektohet edhe të shtunën në fushë.
Ndeshja e radhës është ndaj Tiranës. Çfarë prisni nga ky duel?
Do të jetë një ndeshje e vështirë, si çdo përballje në kampionat. Tirana është një kundërshtar që lufton shumë dhe nuk të fal hapësira. Megjithatë, ne do të futemi në fushë vetëm për fitore.
Sa i përgatitur ndihet grupi për këtë sfidë?
Jemi përgatitur maksimalisht, si në aspektin fizik ashtu edhe taktik. Trajneri na ka dhënë udhëzimet e duhura dhe mendoj se jemi gati për të dhënë më të mirën.
Nga ana personale, si e vlerësoni formën tuaj?
Po mundohem të jap maksimumin në çdo ndeshje. Sulmuesi gjykohet për golat dhe shpresoj të kontribuoj edhe këtë fundjavë për ekipin.
Çfarë do t’i premtonit tifozëve të Teutës?
Që do të japim gjithçka në fushë. Mbështetja e tyre të shtunën është shumë e rëndësishme për ne dhe shpresojmë t’i gëzojmë me një rezultat pozitiv.





