Nga Bujar Qesja

Takimet me shokët, miq, e sidomos me të njohur të hershëm, janë nga preferencat e mia më të ndjeshme. Duke u mbyllur secili në vetvete, sigurisht së pari në kërkim të mbijetesës, kemi dëmtuar disi takimet me ato, që në një formë a në një tjetër na lidhën punët. Kam ndryshuar disa pozicione pune, por nuk kam harruar atë të fillimit: sindikatën e punëtorëve. Sapo mbarova shkollën e lartë, emërimin e parë e mora pikërisht në sindikatë.

Pata shumë fat, se ato njerëz që më lidhi fati të bashkëpunoja, ishin shumë herë më të mëdhenj nga unë. Kujtoj që në sindikatën e punëtorëve, apo ndryshe bashkimet e profesioneve të punës, punonin Agim Kasmi, Engjëll Jaho, Kristina Teodori, Myftar Kurti, Orest Bitri, Qani Llakaj dhe Vera Vasia.

Punonte gjithashtu edhe Riza Laçi. Kam kujtime të pazbehura nga kjo shoqëri, duke mos lënë menjëanë Naim Novën, Agron Xhungën, Bardhyl Agasin, Milto Drizën, Arta Koçin dhe drejtuesit e sindikatave në ndërmarrje. Do të përmënd Hysen Tivarin, Spiro Lipen, Petro Shametin, Naun Llazon, Drita Lulin, Llazar Peçin, Isa Agën, Ramazan Sinanin, Donika Stoja, Terezina Banda, Llazar Bonshin, Seit Likën, Kristo Nonin, Vangjel Filon, Elmaz Brahon, Ibrahim Koçin e plot të tjerë.

Teksa ecja diku nga hyrja e Durrësit, “përplasem” me një portret shumë të njohur. Kisha shumë e shumë vite pa e parë. Nga viti 1978, syri im ia kishte humbur shtatin. Lëvizte ngadalë, por i saktë në hedhjen e hapave. Është më i madh nga unë, por jo aq sa mund ta mendoja. Pa mëdyshje i thërrita fort në emër, pa e fshehur kënaqësinë e këtij takimi të rastësishëm.

-Oh Riza Laçi! Sa kohë kam pa të parë, miku im i 75-sës! Me siguri do t’i kesh kaluar të 80-tat?

U përqafuam dhe gëzimi na u vesh si një kostum i papritur.

-Edhe mua më ka marrë malli shumë! Vite e vite pa u parë. Sa i përket moshës, i takoj 16 tetorit të vitit 1936.

E ngacmoj, duke i kujtuar 16 tetorin. Qeshim të dy me të madhe, duke nxjerrrë nga shpirti atë sinqeritet dhe atë respekt, që kemi patur atëhere. Riza Laçi është djali i një durrsaku të vjetër, Shefqetit. Është vëllai i Fadilit dhe Skënderit. Skënderi vazhdon të punojë me anije, e inxhinjer Fadili, bashkëshorti i drejtoreshës së njohur të fabrikës së cigareve Ylfete Laçi, është ndarë nga jeta prej vitesh. Me Fadilin na lidhi një miqësi e ngushtë. Ushtroi atletikën në rini dhe mbeti nga sportëdashësit më të zjarrtë të futbollit durrsak. Kam shumë kujtime nga ky zotni i paharruar i Durrësit.

Riza Laçi e ngacmoi punën shpejt dhe arriti të jetë kryemekanik në dy ndërmarrje të rëndësishme: Nish Kimike dhe Nish Ushqimore. Kështu quheshin atëhere. Kujtojmë me këtë rast drejtorët e ndërmarrjeve, që janë shumë të njohur dhe histori e qytetarisë durrsake. Quhen Xhevdet Laze dhe Hysen Ballhysa.

Dhe ky Riza Laçi, erdhi tek Sindikata në vitin 1971 dhe u largua prej andej në 1981-shin. E sosi punën si nëndrejtor i ndërmarrjes ushqimore, ku drejtonte Inajete Agolli. Pas kësaj, vazhdon të gëzojë atë pension të pamjaftueshëm si të të gjithë ne. Si fundviti, ky takim ndërmjet shokësh kishte sentiment, me pak magji brenda. Mësoj se djali i vetëm jeton në Kanada, ndërsa vajzat njëra është në Durrës, e tjetra në Itali.

E shprehur edhe në raste të tjera. Kam dëshirë ta ripërsëris shprehjen: “sa afër jemi, sa larg jemi”. Kur takoj miq të vjetër si në këtë rast Riza Laçin, pësoj një lloj tronditje. Është përzier kjo me mall dhe ngarkesë shpirtërore, ku bashkohen dy kohë: e djeshmja dhe e sotmja. Për të djeshmen kemi kujtime, pasi u ndeshëm shumë me ndershmërinë, sinqeritetin, respektin, mirënjohjen. E të sotmen mbase fëmijët tanë, paçin fatin t’ia ndjejnë hajrin.

-Qofsh edhe më tej si kokrra e mollës Riza Laçi! Shpresoj të takohemi, të paktën kështu për disa minuta në këmbë! Pleqëria e thellë, të ardhtë sa më vonë! Të fala Lilit, gruas tënde të shkëlqyer! Fëmijve suksese! Mirupafshim mik! Mirupafshim Riza Laçi, i njohuri im i 75-sës!