Nga BUJAR QESJA
Jemi shumë të rinj këtu, nisur nga koha e tanishme. Është një pamje që duhet t’i ketë kaluar të 15 vitet.
Pas një aktiviteti, jemi në kushtet e një tavoline relaksuese. Çfarë ishte mbi tavolinë i sfumova, për të mos krijuar idenë që jemi të pijes. U bashkuam si rastësisht, por me dëshirën e mirë për të fiksuar një pamje mbreslënëse.
Foto ka fiksuar tre njerëz, me profesione të ndryshme por qëllime të njëjta. Është në të mësuesi i njohur i matematikë fizikës Hilmi Bekteshi. Datëlindja e tij është 3 prill 1944. Është në kufirin e 80 viteve. Njeri model. Zotni në komunikim dhe i aftë në zanat. E ndjej dhe e prek reputacionin e tij. Është nga ato durrsakë që nuk e njohin mburrjen, ku modestia lexohet fare lehtë në fytyrën e tij. Veçmas mësues i shkencave ekzakte, është edhe një sportëdashës i flaktë. “Vdes” për futbollin durrsak dhe diskuton me shumë zjarr. E don Durrësin dhe është i përkushtuar plotësisht ndaj tij.
Hilmi Bekteshi, është mësuesi i adhuruar nga pjesa dërrmuese e nxënësve të tij. Ai komunikon me ta edhe tani në këtë moshë. Ruajnë shumë kujtime, e cila është kthyer në pasuri shpirtërore.
Enton Bido, i datëlindjes 3 korrik 1974. Ka mbaruar studimet në shkencat informatike dhe punon në skedarët ekletronikë në Drejtorinë e Librit në Durrës. Entoni është i dhënë shumë pas letërsisë. Natyrë e qetë. Vrapon të të jap respekt, por ndërkohë e kërkon këtë edhe tek të tjerët brenda moralit njerëzor. Me Entonin mburremi në pozitat e krijuesit gjithnjë kërkues. Është kritik, përkthyes, poet, prozator, studiues e gjithçka në funksion të librit. Spikatës romani i tij “Prijësi i palavdishëm”. Ka shkruar proza poetike, poema dhe poezi. Ka përkthyer 6 libra dhe në inventarin e tij krahas kësaj shifra numurohen edhe 10 botime të tjera.
Shumë aktiv, me energji gjithnjë djaloshare. Është më i riu ndër ne dhe vazhdues i qytetarisë dhe fisnikërisë durrsake. Lodhet shumë. Punon shumë dhe e ndjen se sfida të tjera e presin dhe është i gatshëm në përballimin e tyre. Edhe unë edhe Hilmiu ndjehemi mirë në shoqërinë e tij. Zotëron një kulturë nderuese dhe na bën krenar. Entoni ka plane për më tej. Natyrisht krijimtaria është jetë për të. I jep atë gjallëri, duke krijuar raporte bindëse me punën dhe njerëzit.
I treti është gazetari Bujar Qesja, me një përvojë në kurriz mbi 50 vjeçare. I datëlindjes 15 gusht 1951, e filloi në moshën 18 vjeçare rrugën e publiçistikës. Ka mbaruar shkencat politiko juridike në degën e gazetarisë, duke lidhur një miqësi të ngushtë me emra të njohur të gazetarisë dhe letërsisë si Hysni Milloshi, Skënder Hasko, Tomor Jolldashi, Tonin Shtjefni, Shpëtim Gina, Jamarbër Marko, Zamira Koleci, Apostol Duka, Demokrat Anastasi, Arqile Ndini, Elmaz Leci etj. Tek ai janë rrok njëherazi angazhimi radiofonik, televiziv dhe i gazetarisë së shkruar.
Ndonëse në moshë 71 vjeçare, ndjehet i freskët në angazhimet e tij itensive në fushën publiçistike, veçanërisht në evidentimin e kulturës dhe historisë së qytetit të lindjes – Durrësit. Veçmas këtyre detyrimeve profesionale, në jetë është marrë me drejtimin e institucioneve të tilla të rëndësishme si teatri “A. Moisiu”, pallati “Rinia”, klubi shumësportesh “Teuta” etj.
Përveç titullit “Anton Mazreku” dhe shumë vlerësimeve të tjera me vlerë, është edhe “Mjeshtër i Madh”, vlerësim që jepet nga Presidenti i Republikës.
Në foto tre njerëz të thjeshtë, por shumë aktivë dhe profesionistë në zanatet e tyre. I bashkoi që të tre dëshira, për të qëndruar disa orë pranë njëri tjetrit, duke çfrytëzuar një miqësi të pastër dhe të sinqertë. E prezantoj dhe e bëj publike këtë pamje, si mundësi e mbajtjes gjallë tëe qytetarisë durrsake, e cila gjithnjë është ushyer me dashuri dhe respekt ndaj njerëzve.
Tre njerëz me ecuri dhe historitë e veta. Në profesione të ndryshme, por me qëllime të njëjta. Gjithnjë të përkushtuar dhe të dashuruar ndaj Durrësit dhe durrsakëve.
Durrës: 20 maj 2022
Në foto: nga e majta Enton Bido, Hilmi Bekteshi dhe Bujar Qesja.