Pas denoncimeve të shoferëve të kamionëve për pritje të gjata dhe vonesa në terminalin e kontejnerëve të Portit të Durrësit, ka reaguar Autoriteti Portual Durrës.
Në një sqarim zyrtar, APD bën me dije se situata e krijuar në fillim të kësaj jave lidhet me fluksin e shtuar të mjeteve të rënda, si pasojë e kufizimeve të qarkullimit gjatë fundjavës.
Sipas autoritetit, një pjesë e kontejnerëve nuk mund të evadohen gjatë ditëve të fundjavës, duke krijuar një stok të përkohshëm mallrash në terminal. Për pasojë, në ditët e para të javës rritet ndjeshëm numri i kamionëve që paraqiten për të tërhequr ngarkesat, duke shkaktuar radhë dhe vonesa.
Reagimi vjen pasi shoferë kamionësh denoncuan për “DurrësLajm” pritje prej disa orësh në temperatura të larta, duke pretenduar se ritmet e ngarkim-shkarkimit nuk po përballojnë volumin e punës.
Njoftimi i plotë:
Sqarim
Nisur nga fluksi i shtuar i kamionëve në Terminalin e Konteinerëve të Portit të Durrësit në fillim të kësaj jave, dëshirojmë të sqarojmë se kjo situatë lidhet me kufizimet sezonale të qarkullimit të mjeteve të rënda në akset rrugore gjatë fundjavës.
Si pasojë e këtyre kufizimeve, një pjesë e konteinerëve nuk mund të evadohen gjatë fundjavës, duke krijuar një stok të përkohshëm mallrash në terminal. Ky volum përqendrohet për t’u tërhequr në ditët e para të javës, çka sjell rritje të numrit të kamionëve dhe krijim të radhëve në hyrje të terminalit.
Autoriteti Portual Durrës po punon me kapacitete të plota për përpunimin dhe evadimin e mallrave, duke marrë të gjitha masat për menaxhimin sa më efikas të fluksit.
Falënderojmë transportuesit dhe përdoruesit e portit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe me ritme të larta operacionale!





