Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar turin elektoral në qytetin e Kukësit, ku është ndalur në një takim me mbështetës të majtë. Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se 11 maji duhet parë si një moment historik vendimmarrjeje dhe jo si një garë mes fanelash politike.
Ai tha se Kukësi ka potencialin të bëhet një destinacion turistik me peshë, duke përmendur projekte që po përgatiten për të nxitur zhvillimin e qytetit në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030”.
“Nëse arrijmë të krijojmë atraksionin me qytetin e nëndheshëm dhe të zhvillojmë një sistem mikpritjeje të qëndrueshëm, nuk është aspak e pamundur që Kukësi të arrijë në 1 milion turistë. Nuk është një shifër e jashtëzakonshme për potencialin që ka ky vend”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit, ai bëri thirrje për reflektim dhe pjesëmarrje masive, duke kujtuar zgjedhjet e vitit 1992 si një moment të ngjashëm për ndryshim, kur shumë qytetarë votuan ndryshe nga bindjet e tyre për të sjellë një kapitull të ri politik.
“Në 11 maj nuk është dita për fanelat e partive. Është dita për të marrë një vendim me historinë”, tha Rama.