Kryeministri Edi Rama ndodhet në Nju Jork që prej të hënës në kuadër të zhvillimit të Asamblesë së OKB-së. Kryeministri është së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka dhe kanë nisur një sërë takimesh në kuadër të zhvillimit të kësaj asambleje.

Kryeministri Rama pritet që fjalën e tij në këtë organizim ta ketë ditën e shtunë, kur kjo asamble do të ketë në fokus situatën globale pas luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ditën e djeshme Rama ka patur një takim me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor. Ka qenë një ftesë nga Borrell ku ka pasur edhe diskutime lidhur me atë çfarë do të ketë në fokus Asambleja e Përgjithshme.

Po ashtu pritet që në ditët në vijim Rama të ketë takime intensive, por do të jenë takime me dyer të mbyllura dhe jo publike.

Po ashtu sot pritet të mbahet mbledhja e qeverisë dhe të miratohen disa vendime. Një prej vendimeve më të rëndësishme që pritet të marrë miratimin e Këshillit të Ministrave është edhe rritja e pagave për punonjësit e administratës, e paralajmëruar kjo nga kreu i qeverisë disa ditë më parë si pjesë e paketës së dytë për përballimin e krizës.