Në shkurt 2022, Ravesa Bajo u emërua Drejtoreshë Ekzekutive e Iniciativave Politike dhe Projekteve Speciale për Zyrën e Kryetarit të Bashkisë për Çështjen e Imigrantëve në New York.

Kjo është vetëm një nga arritjet e vajzës durrsake që jeton dhe punon në SHBA.

Në këtë pozitë të re, Ravesa udhëheq iniciativat dhe projekte kryesore për të ofruar shërbime kritike për popullsinë prej 3 milion emigrantësh dhe refugjatësh dhe promovon integrimin në jetën qytetare, ekonomike dhe kulturore të qytetit të Nju Jorkut.

Ajo rrëfen për “DurrësLajm” historinë e saj, çfarë do të thotë ky pozicion pune për të, sfidat e të qenurit një grua në karrierë dhe mendimin për tu kthyer me kontribut në vend.

Ravesa i mbijetoi trazirave civile të vitit 1997 në Shqipëri dhe të ndikuar personalisht nga lufta civile, ajo dhe familja e saj u pranuan në Paris me azil politik, ndërsa në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare ajo emigroi në Shtetet e Bashkuara ku u diplomua në një diplomë Bachelor të Arteve në degën Shkenca Politike.

Gjatë kohës, Ravesa shërbeu si Këshilltare e Lartë e Politikave për Zëvendës Kryetarin e Bashkisë për Operacionet në Zyrën e Kryetarit të Qytetit të Nju Jorkut, duke mbikëqyrur agjensitë kryesore të qytetit që mbulojnë shërbimet thelbësore ditore për 8.8 milion qytetarë, duke u fokusuar që nga marsi 2020 në koordinimin e reagimit emergjent të qytetit ndaj pandemisë COVID-19.

Për më tepër, Ravesa ka udhëhequr një portofol iniciativash me ndikim në fushat e mundësive ekonomike, barazisë arsimore dhe reformës së imigracionit.

Ravesa ka mbrojtur gjithashtu riintegrimin e suksesshëm të të rinjve të përfshirë në sistemin e qytetit të Nju Jorkut, ka punuar në edukimin dhe fuqizimin e studentëve të paprivilegjuar në South Side dhe West Side Chicago, si dhe ka kryer kërkime ligjore në fushat e identifikimit të dëshmitarëve dhe aksesit në testimin e ADN-së në çështje gjyqësore për dënimin me vdekje në SHBA.