Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Igor Fillkov, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Shkup, ku një numër i madh studentësh shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.

Sipas tij, protestat janë një e drejtë demokratike, por ai i ka cilësuar zhvillimet si të dhunshme dhe ka theksuar se nuk mund të lejohet, siç u shpreh, cenimi i standardeve në sistemin e drejtësisë përmes presionit në rrugë.

Fillkov nënvizoi se Ministria e Drejtësisë është e gatshme për dialog institucional dhe të argumentuar, por nuk do të pranojë, sipas tij, dobësimin e sistemit juridik apo relativizimin e rolit të gjuhës maqedonase në funksionimin shtetëror.

Ai theksoi se gjuha maqedonase është një detyrim kushtetues dhe një element thelbësor i shtetësisë dhe rendit institucional, jo një pengesë për qytetarët.

Gjithashtu, ministri e quajti të papranueshme që çështja e provimit të jurisprudencës të shndërrohet në instrument politik apo të përdoret për nxitje tensionesh ndëretnike.