Në kuadër të procesit të rindërtimit, Bashkia e Durrësit ka nisur ndërhyrjen në pallatet e qytetit të Durrësit, për riparim në ambientet e përbashkëta si dhe te fasadat e jashtme.

Bëhet fjalë për 180 pallate me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3, që kanë mbetur të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sot ka nisur riparimi në pallatin e ndodhur pranë “Velierës”, (i njohur si pallati te “Fly”), ku për shkak të vendosjes së makinerive të mëdha me anë të të cilave do të kryhet ndërhyrja deri në katet e fundit, është bllokuar rruga.

Asnjë automjet që vjen nga rruga “Egnatia” nuk mund të kalojë drejt bulevardit “Epidamn” duke përshkuar këtë aks.

“DurrësLajm” mëson se ndërhyrja në këtë pallat mund të zgjasë rreth 2-3 ditë, dhe si rrjedhojë edhe bllokimi i rrugës do të zgjasë të njëjtën periudhë kohore.

Fillimisht ndërhyrja nisi në dy kullat te shëtitorja “Taulantia” përballë Monumentit të Rezistencës, ku pati vetëm bllokime të rrugicave anësore, ndërsa në ditët në vijim mund të ketë sërish bllokim të disa rrugëve në qytet në varësi të pallateve që do t’i nënshtrohen ndërhyrjeve.