Arben Ristani para se të vendoste të hynte në grevën e urisë, shkoi tek vendi i punës së të atit. Ish- studentin e Fakultetit Juridik e mundonte dilema për atë çfarë do t’i thoshte babait dhe përgjigjja që do të merrte prej tij. Por, mosndodhja e babait në atë moment e zgjidhi situatën e të birit. I shkroi një letër dhe pak rreshta, ku i tregonte për vendimin që kishte marrë, madje “guxonte” t’i fliste edhe për të drejtat dhe liritë e njeriut…

Arben Ristani tregon për “Gazeta Shqiptare” bisedat mes të rinjve 28 vite më parë, se si mund të ishte vendi ynë në demokraci dhe Shqipëria si Evropa. Një ndër rrugët drejt saj ishte greva treditore e 700 studentëve, e cila çoi në rrëzimin e miteve të diktatorit Hoxha.

Z.Ristani, cila ishte situata në Qytetin Studenti para grevës së urisë 27 vite më parë, që çoi në rrëzimin e bustit të diktatorit?

Unë kam qenë student i Juridikut në vitet 1987-1991. Nuk banoja në Qytet Studenti dhe s’mund të flas për situatën atje, por tek të gjithë ne ndjehej një erë ndryshimi. Çdo ditë talleshim, tregonim barsoleta për diktatorin, pasardhësin e tij, Ramiz Alinë dhe anëtarët e Byrosë Politike, lexonim dhe ndanim me njëri-tjetrin ato pak shkrime politike të intelektualëve të kohës dhe ndiqnim me vëmendje lajmet që na vinin për atë që po ndodhte në vendet e lindjes komuniste.

A ishte në dijeni familja juaj që po hynit në greve urie?

Para se të shkoja për te greva e urisë, isha bashkë me Kreshnik Spahiun dhe të dy u nisëm për të vendi ku punonte babai im. Po përgatisja me vete çfarë dhe si do ia thosha.

Dhe si e zgjidhët dilemën?

Dilemën ma zgjidhi fakti që babai nuk ndodhej aty. Atëherë shkrova dy gisht letër dhe ia lashë te vendi i punës.

Çfarë i shkruat babit?

I thashë që po futesha në greve urie dhe diçka patetike mbi të drejtat dhe liritë e njeriut.

A u kërcënua familja juaj nga regjimi i asaj kohe?

Jo, nga regjimi nuk pati reagim ndaj familjes sime.

Si u vendos për hyrjen në grevë urie dhe kush ishte ideatori?

Nuk kam dijeni si u vendos dhe nga kush, por mbaj mend që Blendi Gonxhe ishte shumë aktiv në organizimin e grevës.

Si e kalonit kohën gjatë grevës së urisë dhe cilat ishin kryesisht bisedat që bënit së bashku?

Ishim të ndarë në dy salla të mëdha të kinoklubit. Mesa kujtoj, gati 3 qind vetë në njërën. Ndoshta më shumë në sallën tjetër. Bisedat ishin kryesisht se si mund të ishte vendi ynë në demokraci, si mund të ishte Shqipëria si Evropa. Por bisedat ishin natën e parë aq sa na mbante entuziazmi, më pas rrinim shtrirë dhe flisnim pak, se uria bënte të veten.

Si e kujtoni Sali Berishën dhe drejtuesit e lëvizjes e dhjetorit?

Z.Berisha komentohej shumë për disa shkrime në gazetë në atë kohë, që ishin me të vërtetë të guximshme dhe përparimtare. Nuk kujtoj më shumë se sa siluetën e tij me pardesynë e bardhë.

A është e vërtetë që z.Berisha ishte kundër grevës së urisë?

Nuk kam dëgjuar kurrë për diçka të tillë.

Cili ishte roli i Azem Hajdarit ato ditë dhe çfarë kujtoni me të?

Me Azemin njiheshim shumë, sepse ai ishte student i Filozofisë dhe filozofia me Juridikun ishin në të njëjtin korridor dhe ndanin të njëjtat klasa, aksionet dhe zboret i bënim së bashku. Ishte djalë sharmant, i shkathët dhe m   e prirje lideri. E kujtoj të kudogjendur ato ditë, duke iu prirë studentëve dhe duke folur në tribunat e kohës. Mbaj mend që mbante një xhup të zi lëkure.

Kush nga pedagogët vinte dhe ju takonte brenda kinoklubit ku zhvillonit grevën e urisë?

Nga Juridiku nuk kujtoj pedagogë që të ishin me ne, të tjerë nuk më kujtohen.

A kishte studentë që hynë dhe dolën nga greva? Është e vërtetë që mes jush kishte edhe të infiltruar nga ish- Sigurimi i Shtetit?

Ka pasur edhe studentë që kanë hyrë në grevë ditën e nesërme, por kanë hyrë fshehurazi organizatorëve. Ndërkohë nuk mbaj mend ndonjë që të ketë ikur, përveç disa vajzave që shkuan në spital nga mungesa e ushqimit. Ndërkohë nuk kam informacion për të infiltruar nga Sigurimi i Shtetit, po çudi nuk është…

Çfarë do të ndodhte nëse policia hynte brenda dhe do t’ju nxirrte jashtë grevës?

Në atë moment, sigurisht edhe për shkak të moshës, nuk na bënin sytë dritë. Sot bëj lidhjen me një shprehje të Shopenhauerit, “entuziazmi i çastit ngre njeriun në piedestalin e heroit”. Edhe ne ishim të mbushur me urrejtje ndaj regjimit dhe me shpresë për të ardhmen europiane, nuk llogarisnim as polici, askënd.

Si e mbani mend momentin kur u plotësuan kërkesat tuaja?

Ne kishim vetëm një kërkesë mesa kujtoj, heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti. Greva arriti kulmin kur populli rrëzoi statujën e diktatorit dhe e sollën në Qytetin Studenti, ku u mblodh popull pa fund nga e gjithë Tirana. E ndjenim veten si heronj dhe vendosëm të mos e mbyllim grevën derisa emri të hiqej zyrtarisht. Ashtu ndodhi, greva përfundoi kur u dha lajmi zyrtarisht për heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti.

Cili ishte veprimi i parë sapo dolët nga greva e urisë?

Nuk e kujtoj këtë moment. Ishte historia jonë. Kemi qenë edhe ne aty, absolutisht krenarë që kemi kontribuar në proceset demokratike. Disa nga në janë dekoruar si pishtarë të demokracisë. /Gazeta Shqiptare