Këngëtarja Ronela Hajati e cila përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision 2022” me këngën “Sekret” nuk u kualifikua në finale.

Edhe pse me performancën e saj Ronela ndezi skenën, Shqipëria nuk arriti dot të kalojë në finale.

Votimi ishte i hapur gjatë gjithë mbrëmjes, ku shtete të ndryshme kanë pasur mundësi të votojnë për performancën që u ka pëlqyer më shumë.

Ronela shkëlqeu me performancën e saj, e shoqëruar nga koreografja Klaudia Pepa dhe katër balerinë italianë.

E veshur me një fustan ngjyrë rozë me shkëlqim, Ronela mahniti me pamjen.

Ajo që tërhoqi vëmendje ishte performanca në skenë, e cila përmbante elementë të valleve tradicionale shqiptare.

Me një koreografi të kujdesur deri në detaje këngëtarja kërceu së bashku me balerinët si një trup i vetëm, teksa nën ritmin e këngës dhuruan një performancë mahnitëse.

Ronela Hajati përjetoi e para nga konkurrentët ndjesinë e gjysmëfinales së parë të “Eurovision 2022”.