Policia e Durrësit ka arrestuar Bahrije Gjuni, gjyshen e cila rrëmbeu nipin e saj vetëm 3 vjeç dhe e mbajti larg nga nëna për një javë.

Ajo pranoi të dorëzonte ditën e sotme djalin në polici, ndërsa është arrestuar nën akuzën e rrëmbimit të personit.

Bahrije Gjuni është personi i tretë i arrestuar në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa në dëshmi është shprehur se kanë marrë nipin sepse kanë dashur ta rrisin vetë.

“E kemi  vendosur së bashku me bashkëshortin tim Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është djali i djalit tonë. Në këtë mënyrë të shtunën që shkoi e morëm dhe unë u largova nga shtëpia dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar te Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit. Në Buzmadh kam fjetur një natë. Ditën e tretë kam shkuar në Kukës te një kushërira ime ku kam fjetur një natë. Pastaj kam shkuar në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme.Vendosa ta dorëzoj nipin për shkak të ndjekjes së policisë por edhe se një vëlla i imi u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim pasi ata nuk kanë gisht në këtë çështje”, ka deklaruar gjyshja.