Banorët e zonës së Porto Romanos, që dy ditë më parë u evakuuan nga shtëpitë e tyre për shkak të rrjedhjes së gazit nga një prej cisternave, kanë protestuar sot para shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”.

Protestuesit deklaruan se fabrika e gazit është një rrezik potencial për zonën dhe kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për ta larguar atë, ose për të zhvendosur banorët në një tjetër zonë ku nuk u rrezikohet jeta.

“Nxënësit i kanë 50 metra larg nga shkolla cisternat e gazit. Atyre u rrezikohet jeta, na rrezikohet të gjithëve. Kjo është fabrika e vdekjes se banorëve të Porto Romanos”,- tha një prej protestuesve.

“Kjo është bombë bërthamore dhe katastrofë për të gjithë Durrësin nëse shpërthen”,- tha një tjetër banor i zonës.

Ndërkohë, drejtori i shkollës Hajri Nuhu deklaroi se po mban kontakte të vazhdueshme me Zyrën Vendore Arsimore dhe bashkinë e Durrësit.

Sipas Nuhut, pas kontrolleve të ushtruara një ditë më parë nga Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial nuk ju komunikua që shkolla duhet mbyllur.

“Unë nuk bëj dot ekspertin dhe të them që situata është normale. Mua më vijnë nxënësit në shkollë, prandaj jam i detyruar të hap shkollën” – tha ndër të tjera drejtori i shkollës 9-vjeçare.

Mësohet se procesi mësimor ka vijuar normalisht gjatë ditës së sotme.

M.B.