Rritja e ndjeshme e çmimeve të produkteve ushqimore, e cila tani po vijon prej muajsh, ka ndikuar në konsumin e qytetarëve.

Të prekur nga rritja e çmimeve, ata priren të harxhojnë më pak, duke u përgatitur për ditë të vështira.

Në marketet e vogla, në lagjet periferike të Durrësit, kjo rënie ka nisur të ndihet, pasi ka rënë ndjeshëm xhiroja ditore.

“Nëse ne bënim xhiro 200 mijë lekë të vjetra në ditë, tani bëjmë rreth 150 mijë”,- thotë një pronar marketi në lagjen nr.14.

Lista e borxhlinjve në fletoren ku mban detyrimet e debitorëve është rritur, por deri më tani të paktën paratë ia çojnë në dyqan sapo marrin rrogën ose ndonjë të ardhur nga remitancat.

Vetë konsumatorët deklarojnë se priren të blejnë vetëm produktet më të domosdoshme dhe zgjedhin gjithnjë ato me çmime më të ulta.

“Tani po harxhojmë më pak, sepse janë ngritur çmimet, ndërkohë rrogat rrinë po në vend. Kur ngrihen çmimet, duhet të rriten edhe rrogat. Unë vetë jam në pension, vetëm burrin kam në punë. Domaten nuk e blej më se ka shkuar shtrenjtë. Mollët marrim ato që janë me çmim më të lirë, se s’na del. Pension aq është, vetëm 150 mijë lekë”,- thotë një pensioniste, ndërsa ka blerë vetëm pak produkte në dyqan.

Pasigurinë për të nesërmen e ndjen qoftë biznesi i vogël, qoftë konsumatorët.

Jetë e vështirë po bëhet, jetë shumë e vështirë”,- thotë e shqetësuar pensionistja.

M.B.