Teksa ecën rrugëve të Durrësit dhe ngre kokën lart, syri të ndesh ngado një mori kabllosh, që shtrihen nga të gjitha anët. Në shumë raste, ato i ngjajnë rrjetave të merimangave dhe pse jo Spiderman-i do të ndihej si në “shtëpinë” e tij në Durrës.

Kabllo të energjisë elektrike, të internetit, të telefonisë fikse etj janë të ndërlidhura aq ngushtë me njëra-tjetrën, saqë edhe për teknikët është e vështirë ndërhyrja në raste avarish.

Këto rrjeta të improvizuara merimangash, i gjen ngado… Në rrugën “Aleksandër Goga”, te “Ramazan Jella”, pranë sheshit “Pranvera”, në lagjen nr.11 etj etj. Praktikisht të gjitha lagjet e Durrësit kanë nga disa rrjeta të tilla të krijuara nga kabllot ajrorë.

Pavarësisht çarjeve të shpeshta të asfaltit për të futur kabllot nëntokësorë, disiplinimi apo eleminimi i atyre ajrorë nuk ka ndodhur deri më tani.

Përveç pamjes aspak estetike që ato ofrojnë, shpesh këto kabuj kthehen në rrezik potencial për qytetarët.

Shumica e tyre ndodhen shumë pranë tokës, duke u kthyer në një rrezik për qytetarët.

Në rrugicat e ngushta të qytetit duhet të ecësh me kujdes, pasi disa prej kabllove nuk janë në lartësinë e duhur. Ndërsa rreziku shtohet në orët e mbrëmjes, sepse nuk mund të shihen dhe mund të arrihen lehtë me trup.

Ajo që e bën më të rrezikshme këtë situatë janë edhe shtyllat elektrike, pasi disa prej tyre për shkak të amortizimit janë mënjanuar dhe dëmtuar. Në rast mosndërhyrjeje, ato rrezikojnë shembjen përdhe.

Rrjetat e kabllove gjenden pothuajse kudo, pranë dritareve të pallateve, pranë banesave, pranë shkollave etj, ndërkohë që rreziku bëhet më i madh në mot me reshje të dendura dhe erëra të forta.

Në shumë lagje të Durrësit, kabujt e dëmtuar varen deri në lartësinë e trupit të njeriut dhe mund të përbëjnë kërcënim për fëmijët, që shpesh nga kureshtja mund t’i prekin apo luajnë me to.

Deri më tani, investimet publike në infrastrukturë nuk kanë parashikuar zëvendësimin e kabujve ajrorë me ato nëntokësorë. E për pasojë, zhvillimi i teknologjisë dhe nevoja e shumë familjeve për internet, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të shtojë të tjerë kabuj mbi ato ekzistues.

Duke parë këto “rrjeta” kaq të komplikuara, Spiderman do ta mendonte dy herë të kalonte nga Durrësi, pasi mund të ngecte kollaj fare në to.

J.D