TIRANE– Në dekadën e fundit ka pasur një dhjetëfishim të investimeve në industrinë e prodhimit te verës. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se investimet në këtë sektor nga 4.1 milionë lekë në vitin 2000 arritën në 41.3 milionë lekë në vitin 2011.

Gjatë vizitës që ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, bëri në një prej kantinave më të mira në vend tha se aktualisht në Shqipëri janë rreth 100 sipërmarrje, që operojnë në këtë sektor nga vetëm 22 që ishin në vitin 2000.

Ministri Ruli tha se ka iniciativa shumë serioze për prodhimin e verës shqiptare.

“Vera është malli më i pranishëm në festat dhe tavolinat e fundvitit. Industria e verës te ne është një industri e re dhe në përgjithësi, vreshti për verë dhe industria e verës është fenomen i dekadës së fundit dhe është një ringjallje shumë më cilësore seç ka qenë historia e mëparshme e verës në Shqipëri. Shtytje kryesore janë dhe vetë investitorët, me zgjuarsinë e tyre për të krijuar fermën e madhe të vreshtit, fermën që arrin ekonominë e shkallës dhe padyshim investimet që janë bërë në kantinat e vendit janë të konsiderueshme dhe me vlerë”, – tha ministri Ruli.

Duke iu referuar të dhënave të viteve të fundit, ministri tha se verërat shqiptare po konkurrojnë prodhimet e huaja si dhe po rrisin gjithmonë e më shumë cilësinë, fakt ky që është konfirmuar dhe nga somelierët më të mirë të huaj.

“Sot me prodhimin lokal të verës ne mbulojmë vetëm 43%  të nevojës konsumatore. Në Shqipëri prodhohen rreth 20 mijë hektolitra në vit, ndërkohë që konsumohen rreth 44 mijë, pra pjesa më e madhe mbulohet nga importi. Mbulohet dhe për faktin se sipërfaqet e vreshtave dhe prodhimi i kantinave duhet të shtohen më tepër. Së dyti, duhet t`i drejtohemi klientit shqiptar, i cili ende nuk ka vlerësimin e duhur për verërat shqiptare”, – tha ministri Ruli.