Emiriana Sako do të rikandidojë nën siglën e Partisë Socialiste për bashkinë e Durrësit. Kështu deklaroi deputetja e Partisë Socialiste në Durrës, Klodiana Spahiu.

Në një intervistë për Euronews, Spahiu pohoi se Sako, ka filluar dhe punën duke mbajtur takime me qytetarët gjatë gjithë kohës.

“Unë e di që ne e kemi kandidatin për Durrësin. Ne e kemi filluar punën prej kohësh. Kandidati është kryetarja aktuale e Bashkisë së Durrësit, zonja Emiriana Sako. Patjetër që është e konfirmuar! Për hir të së vërtetës ne na duket sikur kemi qenë tërë kohës në fushatë në zgjedhje pasi nuk kanë kaluar as 11 muaj nga fushata e kaluar e zgjedhjeve të marsit. Kështu që PS ka qenë e angazhuar jo vetëm për zgjedhjet e marsit, por gjatë gjithë kohës kemi qenë në kontakt me qytetarët. E vlerësoj shumë dhe kandidaturën, pasi kryetarja gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë shumë aktive në takimet me qytetarët”, tha Spahiu.