Krybashkiakja Emiriana Sako ka pritur në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nanon dhe drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Neritan Nallbati.

Fokus i takimit ishte sezoni turistik dhe masat për mbarëvajtjen e tij.

Detajet i dha Sako në një postim në llogarinë e saj në “Facebook”.

Postimi i plotë:

📌 Në një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe drejtorin e policisë së Durrësit Neritan Nallbati.

🗣 Bashkëbiseduam për masat e marra për sezonin turistik. Po kështu policia e rendit dhe policia bashkiake e Durrësit do të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin si dhe do të hartojnë një plan konkret masash për të bashkërenduar punën në funksion të mbarëvajtjes sa më të mirë të sezonit turistik dhe për një shërbim sa më korrekt e cilësor ndaj qytetarëve dhe turistëve të shumtë që vizitojnë qytetin.

Gjithashtu diskutuam për vendosjen në qytet të sistemit të monitorimit me kamera 📷 me qëllim rritjen e sigurisë publike si dhe ngritjen e një sistemi online brenda këtij muaji për vendosjen e gjobave ndaj shkelësve të ligjit. ✅