Një tjetër aks rrugor i Durrësit do të pajiset me ndriçim LED së shpejti.

Bëhet fjalë për rrugën “Vllazërimi”, në lagjen nr.17

Bashkia e Durrësit ka hapur tenderin me vlerë 9.735.000 lekë dhe kompanitë e interesuara kanë afat deri më datë 9 qershor të dorëzojnë ofertat. Rruga në fjalë ka një trafik të rënduar mjetesh dhe pajisja e saj me ndriçim LED pritet të përmirësojë ndjeshëm sigurinë rrugore.

Sistemi i ndriçimit do të vendoset në të dy krahët e këtij aksi.

Bashkia planifikon zëvendësimin e shtyllave të ndriçimit aty ku mungojnë apo ku janë të dëmtuara.

Linja nëntokësore e tubave përgjatë këtij aksi pjesërisht mungon, ndërsa kabllot nuk ekzistojnë sepse mungojnë prej shumë vitesh.

Rrjeti i ri i ndriçimit do të vendoset në një prej 1820 ml.

Duke iu referuar dokumenteve të tenderit, gjatë investimit “do të bëhet infrastruktura nëntokësore për 110 shtyllat e ndriçimit që konsiston në betonime për 14 shtylla të reja ndriçimi, pasi pjesa tjetër janë ekzistuese, do të vendosen 109 ndriçues LED (nga krahu i rrugës 90-120W), do të vendosen 114 ndricues LED (nga krahu i trotuarit ) 60-90W ku 5 ndriçues do të vendosen te rrethrrotullimi (shiko projektin) do vendosen dhe 110 puseta plastike 30x30x30 në një trup të vetëm”.

Përgjatë këtij viti, bashkia e Durrësit ka planifikuar ndërhyrjen në 16 rrugë të qytetit, për t’i pajisur ato me ndriçim LED.