Mbajtja pastër e mjedisit nga mbeturinat urbane dhe plastika nis nga ndërgjegjësimi i qytetarëve. Gjithësecili prej nesh duhet të japë kontributin e tij personal në këtë sfidë, e cila pavarësisht përpjekjeve të vullnetarëve ende nuk është e fituar.

River Clean Up Albania zbarkoi sot në sheshin qendror të qytetit për të sensibilizuar edhe më shumë qytetarët për t’iu bashkuar kësaj lëvizjeje, që fokusin kryesor të saj ka pastrimin e lumit Ishëm dhe jo vetëm.

Të rinjtë kanë qenë që në fillesat e kësaj lëvizjeje një pjesë mjaft e rëndësishme. Përmes angazhimit të tyre synohet nxitja e brezit të ri për të dalë nga gjendja e pasivitetit dhe për t’u kthyer në një faktor në çështjet mjedisore.

Studentët e UAMD-së iu bashkuan kësaj lëvizjeje vullnetare 2 vite më parë dhe siç tregon dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, Osman Metalla, ata kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në të gjitha aksionet e pastrimit të ndërmarra përgjatë shtratit të lumit Ishëm. Sipas Metallës, ndërgjegjësimi i qytetarëve mbetet sfida kryesore për ruajtjen e mjedisit dhe mbajtjen pastër të tij.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe themeluesi i River Clean Up, Thomas de Groote. Për “DurrësLajm”, ai thotë se shqiptarët duhet të mësohen që ndjenjën e krenarisë për vendin e tyre ta shprehin edhe përmes kujdesit për ruajtjen e mjedisit.

“Unë shoh shumë shqiptarë që janë krenarë për vendin e tyre. Nëse jeni kaq krenarë për Shqipërinë, unë besoj, por duhet të nisni të besoni dhe ju. Unë nuk mund ta ndryshoj Shqipërinë, por shqiptarët munden. Shoh shumë prej tyre që e bëjnë. Na duhen më shumë njerëz ta bëjnë këtë dhe nëse do jenë më shumë atëherë ndryshimi do të ndodhë”,- tha De Groote.  

Në dy vite të ekzistencës së saj, lëvizjes “River Clean Up” i janë bashkuar 4300 vullnetarë, pjesëmarrës në 35 aksione pastrimi, nga të cilat janë mbledhur 120,000 kg mbetje plastike.

M.B.