SERBI – Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby ka deklaruar se kufijtë e shtetit të Kosovës nuk do të preken në asnjë rrethanë.
“Të gjithë duhet ta kenë të qartë se nuk do të ketë tregti për territorin e Kosovës”, ka thënë Kirby, i cituar nga mediat serbe.
Diplomati amerikan është shprehur i kënaqur me takimet e dy kryeministrave, duke vlerësuar se vetëm dialogu garanton të ardhmen evropiane të dy vendeve.
Ndërkohë, Kirby ka refuzuar të komentojë platformën serbe për Kosovën, duke nënvizuar se ajo nuk është një dokument zyrtar.
Javën e kaluar ishte ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson që tha se platforma e Serbisë është thjesht një shpërqendrim i padobishëm dhe një copë letër.
“Kemi shpresa të mira për të ardhmen. Gjithçka tjetër, siç është edhe kjo platformë që po e përmendni, unë e shoh si shpërqendrim të padobishëm”, tha Jacobson.
“Më vjen shumë mirë qeveria këtu ka deklaruar se nuk do të lejojë të shpërqendrohet nga një copë letër”, shtoi ambasadorja për gazetën "Kosova Sot".
Nga ana tjetër, edhe eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer tha se platforma e Beogradit për Kosovën tregon se autoritetet serbe vazhdojnë të jetojnë në fantazi.
“Fantazia më e madhe në këtë platformë është se Kosova mbetet krahinë autonome e Serbisë dhe se Serbia do të ketë sovranitet mbi Kosovën. Kjo nuk do të ndodhë sepse nuk është aspak realiste”, deklaroi Serwer për “REL”.
Ai po ashtu hodhi poshtë deklaratat e Beogradit se me platformën në fjalë, Serbia heq dorë nga ndarja e Kosovës. “Jo, nuk pajtohem me këto vlerësime, sepse mendoj se kjo, pa më të voglin dyshim, është plan për ndarjen e Kosovës”, theksoi Serwer.