Ditën simbol të dashurisë kryetarja e bashkisë së Durrësit ka zgjedhur të vizitojë të moshuarit e Qendrës Ditore të të Moshuarve. Janë pikërisht gjyshet e gjyshërit tanë që kanë nevojë për sa më shumë përkujdesje e dashuri e që të mos ndihen të vetmuar.

Kryebashkiakja Sako ka dëgjuar kërkesat e të moshuarve dhe ka bashkëbiseduar me ta rreth problematikave të ndryshme.

Ajo iu bëri të ditur atyre se bashkia e Durrësit mbështet jo vetëm moshën e tretë, por edhe shtresa të tjera në nevojë. Në këtë qendër marrin shërbim mbi 100 të moshuar dhe në bashkëbisedimin me ta kryebashkiakja Sako i ka shprehur gatishmërinë për zgjerim të shërbimeve për ta në këto qendra.

Sipas kryebashkiakes Emiriana Sako, do të ngrihen qendra të tilla edhe në njësitë administrative, në mënyrë që të kenë mundësi që mosha e tretë të kalojë kohën e lirë dhe me përkujdesjen e nevojshme në sajë të shërbimeve që do të zgjerohen për ta.

Përkujdesja ndaj moshës së tretë është gjithmonë në fokus të programeve sociale të Bashkisë. Kryebashkiakja Sako deklaroi se ata kanë të gjithë mirënjohjen dhe kujdesin e merituar nga ana e saj dhe e bashkisë së Durrësit.

Qendra Ditore e të Moshuarve ka si qëllim dhënien e shërbimeve sociale për të moshuarit e vetmuar dhe me probleme sociale.

Kjo qendër ofron falas për perfituesit e saj, shërbim psiko-social, shërbim shëndetësor, vakte ushqimore, qendër informacioni dhe aktivitete kulturore, psiko-sociale.