Mario Beshiraj mbylli një sezon pozitiv me Teutën, ku rrjeta e tij e 4-t me Tiranën ishte më e rëndësishmja, duke u dhënë bluve qetësinë e qëndrimit në Superiore.Paraqitja e sulmuesit në edicionin që lamë pas, ka qenë mjaft e mirë. Me golat e shënuar, ai ka qenë përcaktues në disa nga fitoret e bluve. Beshiraj bën analizën e skuadrës dhe shpreson që në edicionin e ri të bëjë akoma më mirë. Pas përfundimit të kampionatit, bëhet analiza e ecurisë së skuadrës.
Sipas jush, a e meritoi Teuta vendin e gjashtë në renditje?
Na vjen mirë që arritëm vendin e gjashtë. Futbolli kështu është. Ne realisht patëm disi oshilacione në mes fazës së dytë e të tretë të kampionatit, ndërsa më pas morëm veten dhe hymë në ritmin e fitoreve. Më vjen keq që kemi lënë një ose 2 pikë në disa ndeshje që meritonim më shumë, gjithsesi mund ta quaj një sezon të mirë.
Jeni ndier mirë te Teuta këtë sezon. Si e shihni vazhdimësinë?
Teuta beson te lojtarët e rinj dhe u jep mundësi të tregojnë vlerat e tyre, por ne e dimë gjithashtu se mund të japim edhe më shumë se kaq. Ne e dimë që kemi cilësi për të qenë të suksesshëm. Qetësia që të jep ky klub bën që të mos kesh nevojë për një periudhë te madhe përshtatjeje.
Sipas jush, çfarë mund të kishit bërë shumë?
Po i referohemi pyetjes se çfarë mund të ishte bërë më shumë, sigurisht që ka vend për shumë përmirësime. Tani, në këtë sezon që do të hymë, kemi pretendime të reja dhe mendoj se Teuta duhet të bëjë shumë më tepër sesa sezoni i kaluar.
Cili gol ka qenë më i bukuri për ju këtë edicion?
Në fillim kisha pak presion, por u ambientova shpejt me grupin. Nuk hasa vështirësi më vonë. Të gjithë golat që kam shënuar, kanë pasur rëndësinë e tyre. Më vjen mirë që golat e mi arritën të ndihmonin ekipin për të qëndruar mes më të mirëve.
Çfarë note do t’i vendosni Teutës në këtë fund sezoni?
Do ta ndaja në dy pjesë, në fillimin dhe fundin e kampionatit. Notën nuk e di, por keqardhje që nuk mbajtën ritmin e fazës së parë, arritëm të shpëtojmë sezonin, ndërkohë që dhe fatin e kemi pasur kundra në fazën 4-t.