Një sherr masiv ndodhi këtë të diel në zonën e Kepit të Rodonit, në Durrës. Në të u përfshinë 4 banorë të fshatit Shetaj dhe 4 përfaqësues të kishës katolike. Shkak për ngjarjen sipas policisë u bë një pronë, e pretenduar nga të dyja palët, pasi të dyja palët kanë certifikatë pronësie.
Konflikti degjeneroi në përdorimin e sendeve të forta, ndërsa në vendngjarje policia gjeti edhe një gëzhojë. Disa prej personave të përfshirë në sherr përfunduan në spital e pasi morën mjekim, të gjithë u shoqëruan në policia.
Ky nuk është rasti i parë i këtij konflikti mes palëve, pasi ka pasur edhe raste të tjera që ata kanë përfunduar në polici.
NJOFTIMI I POLICISË
Në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.
Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm.
Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.