Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për tre personat që kundërshtuan policinë dhe dhunuan në ambientet e spitalit të Durrësit një 32-vjeçar.

DurrësLajm” mëson se shkaku i dhunës së ushtruar ndaj tij ishte një lidhje dashurie e kundërshtuar nga familja e vajzës. Babai dhe të afërm të saj, që dyshohet se e ndiqnin të riun, u futën në ambientet e spitalit dhe pasi kundërshtuan me forcë policinë, e rrahën atë duke e goditur me grushte në kokë dhe trup.

Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë tre shtetasit me origjinë nga Dibra dhe banues në plazhin e Durrësit, ndërsa 32-vjeçari pasi ka marrë ndihmën e duhur shëndetësore dhe ka dhënë dëshminë e tij, është lënë i lirë.

Ata akuzohen për veprat penale të “Kundërshtimit të punonjësve të policisë” vepër e kryer në bashkëpunim, si dhe “Plagosje të lehtë me dashje”.

Sipas të plagosurit, familja e vajzës nuk e ka pranuar lidhjen e tyre dhe ai është kërcënuar me jetë nga babai i vajzës, i cili në telefon e ka kërcënuar se nëse nuk largohet nga Durrësi do ta vriste bashkë me të bijën.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e vonë të së hënës në urgjencën e spitalit, ku policia kishte dërguar për kontroll shëndetësor një 32-vjeçar nga Durrësi, që drejtonte automjetin në gjendje të dehur.