Sot në qytetin e Vlorës, 9 të rinj, mes tyre edhe katër të mitur, janë proceduar nga Policia e Shtetit pas një konflikti fizik të shoqëruar me përdorimin e thikave dhe sendeve të forta në lagjen “Lef Sallata”.

Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Vlorës, ngjarja ka ndodhur pasditen e një dite më parë, ku disa të rinj janë përfshirë në një sherr që fillimisht ka nisur për motive të dobëta dhe më pas ka degjeneruar në përplasje të dhunshme mes tyre. Konflikti ka përfshirë disa persona që janë goditur me mjete të forta, duke shkaktuar lëndime të lehta te disa prej tyre.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit: S. L., 24 vjeç dhe S. L., 18 vjeç (vëllezër), M. V., 18 vjeç, E. K., 18 vjeç, K. S., 18 vjeç, si dhe për 4 shtetas të mitur (tre prej tyre 17 vjeç, tjetri 16 vjeç), të gjithë banues në Vlorë, pasi dyshohet se pasditen e djeshme, në lagjen ‘Lef Sallata’, janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta, me njëri-tjetrin, për motive të dobëta”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga ky konflikt janë dëmtuar 4 nga të rinj, të cilët kanë marrë ndihmën e menjëhershme mjekësore në spital. Fatmirësisht, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë në gjendje të stabilizuar.

Policia ka ndërhyrë menjëherë pas ngjarjes dhe ka identifikuar të gjithë personat e përfshirë, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Sherret mes të rinjve dhe adoleshentëve janë kthyer në shqetësim për vendin tonë.