Një sherr mes dy fqinjëve u bë shkak për një plagosje me armë zjarri pasditen e kësaj të shtune në Tiranë. Ngjarja ndodhi sot rreth orës 17:35, në Rrugën e Elbasanit. 

Në një njoftim, policia e Tiranës tha se i plagosur nga kjo ngjarje mbeti 47-vjeçari Xhevahir Kolaveri. Ai ka marrë plagë në këmbë dhe është dërguar në spitalin e Traumës, për ndihmë mjekësore. Sa i takon autorit të dyshuar, ai është identifikuar si Amarildo Kamberi.  

Aktualisht, policia po punon për kapjen e tij. 

Shkak për këtë ngjarje mësohet të jetë bërë një konflikt banal mes fqinjëve.  

“Më datë 17.02.2024, rreth orës 17:35, në Rrugën e Elbasanit, Amarildo Kamberi, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin Xhevahir Kolaveri rreth 47 vjeç, (fqinj me njëri-tjetrin), i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë po vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar”, tha policia e Tiranës.