Hitet e mbretit të muzikës Pop Michael Jackson ndezën shëtitoren “Taulantia” mbrëmjen e së premtes. Nën ritmin e këngëve të famshme të tij si “Thriller” apo “Billie Jean”, të pranishmit nuk nguruan t’i bashkohen atmosferës elektrizuese.

Kompozitori dhe dirigjenti i famshëm italian Roberto Molinelli erdhi mbrëmë në Durrës i shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për të sjellë koncertin vokal-simfonik “Michael Jackson: Historia dhe legjenda e mbretit të pop-it”.

“Kam bërë shumë projekte me orkestrën simfonike për grupet e famshme të së shkuarës si Queen, Led Zeppelin, Metallica, por edhe këngëtarë si Madonna, Prince, David Bowie. Sonte kemi Michael Jackson, që ka qenë një këngëtar shumë i madh”,- deklaroi maestro Molinelli.

Dy solistët italianë Clarissa Vichi dhe Mattia Sciascia sollën në skenën e hapur buzë detit shumë nga magjia e atij që për mëse dy dekada ishte mbreti i padiskutuar i muzikës Pop.

“E rëndësishme është të nxjerrësh thelbin e tij, jo ta imitosh. Gjithashtu do mundohem të futem në këngët e tij, tek mesazhet që ai përcjell, të cilat janë mjaft aktuale edhe sot”,- tha solistja Clarissa Vichi.

Ndërsa për kolegun e saj, Mattia Sciascia, interpretimi i këngëve të legjendës së Pop-it paraqet vështirësi: “Më shumë do t’i këndoj këngët e tij, sepse janë të vështira në interpretim. Ai ishte një ikonë e këngës, po ashtu edhe e kërcimit”.

Ky është bashkëpunimi i tretë i suksesshëm i maestro Roberto Molinelli me TKOB, pas dy koncerteve “Queen: Show must go on” dhe “Paganini in Jazz”.

M.B.