Situata e ngjashme me krizën e mbetjeve në Durrës, duket se po përsëritet edhe në bashkitë e tjera të qarkut.

Muaji gusht i ka gjetur rrugët e bashkisë së Shijakut të mbuluar nga plehrat, koshat e mbeturinave janë të tejmbushur dhe shpërndajnë një erë të padurueshme, ndërkohë e njëjta situatë është edhe në zonat periferike të qytezës.

Në projekt-buxhetin 2022 – 2024 të bashkisë Shijak, për vitin 2022, në programin e menaxhimit të mbetjeve parashikohen 41,410 mijë lekë, ose 3.9% ndaj totalit te buxhetit.

Gjithashtu në projekt-buxhet thuhet: “Nëse do të kemi kosto të reja për këtë program siç është tarifa e depozitimit të mbetjeve në VG Sharrë Tiranë do të kemi rishikim të PBA së 2022-2024”.

Bashkia e Shijakut ashtu si e Durrësit zgjidhjen për menaxhimin e mbetjeve ia kërkon qeverisë.

Kryebashkiaku, Elton Arban pati deklaruar më herët se pas mbylljes së fushës së depozitimit të mbetjeve në Porto Romano, plehrat do të dërgoheshin në landfillin e Sharrës dhe se kostoja e depozitimit do të mbulohej nga qeveria Rama, sepse me buxhetin vendor është e papërballueshme shifra e shpenzimeve.

Por mesa duket deri tani strategjia për menaxhimin e mbetjeve ka mbetur vetëm në letër.