Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli 2”. Vihet në pranga 20-vjeçari nga Durrësi që posedonte disa doza, me qëllim shitjen.

Në vijim të punës operacionale me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin D. Meta, 20 vjeç, banues në Durrës.

Nga kontrolli fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, me qëllim shitjen në zona të ndryshme të qytetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.