Një tjetër roman sjell në duart e lexuesit shkrimtari Bashkim Hoxha. “Shtëpia e verdhë” është botimi më i fundit i Hoxhës, që mbrëmjen e së mërkurës u prezantua mes një rrethi miqsh, shkrimtarësh, personalitetesh të artit dhe kulturës, por edhe shumë qytetarëve durrsakë dhe turistësh.

Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës, por dhe makinacionet e mëtejshme për ta bërë pis fitoren e UÇK-së, prej vitesh e trazonin ndërgjegjen e autorit Hoxha, por edhe atë të gazetarit profesionist.

 “Ky roman “Shtëpia e verdhë” është argumenti për të treguar një problem që është bashkëkohor sot, ai i fake news (lajmeve të rreme) dhe ai i deformimit të realiteteve dhe i përdorimit të propagandës si mjet lufte.

Nga historia e “Shtëpia e verdhë”, unë kam marrë vetëm të vërtetën e akuzave të rreme që janë bërë. Kjo është pjesa e realitetit në roman, ndërsa personazhet i kam trilluar, janë personazhe letrare që mbartin mesazhe të gjithanshme”,- thotë shkrimtari Hoxha për “DurrësLajm”.

E ndërsa ndër vite janë botuar libra dhe romane me tematikë “Shtëpinë e verdhë”, madje është tentuar të bëhen dhe filma nga emra të njohur të kinematografisë botërore, për shqiptarët brenda dhe jashtë kufinjve amë, kjo mbetet një çështje që mbart në vetvete dezinformimin.

“Është një libër që ka në vetvete aftësinë krijuese të shkrimtarit, por edhe një ndërthurje jaashtëzakonisht të komplikuar për një ngjarje e cila nuk ka qenë e izoluar, ka qenë një ngjarje ndërkombëtare. Ka qenë një ngjarje politike, e veshur me atë art që kur përdoret për të mirë ka shumë vlerë për shoqërinë, por kur përdoret për keq sjell pështjellim, sjell dizinformim”,- tha gjatë fjalës së rastit ish-presidenti Bamir Topi, me të cilin autori Hoxha ka diskutuar shumë aspekte të romanit gjatë procesit të shkrimit të tij.

I konceptuar jo vetëm si një event ku promovohet një libër, takimi letrar në shëtitoren buzë detit ngërthente në vetvete ekspozitën fotografike të Gëzim Domit, me tematikë eksodin e popullit të Kosovës, si dhe ekspozitën kolektive të 3 autorëve nga Mitrovica dhe disa artistëve durrsakë.

Pikturat e artistëve nga Kosova ishin përzgjedhur pikërisht për të risjellë dhe njëherë në vëmendjen terrorin serb mbi popullsinë shqiptare.

“Ne si artista kemi përzgjedhur shumicën e veprave pikturale, të cilat faktikisht tregojnë okupatorin serb, tregojnë mënyrën sesi e kanë trajtu vendin, sesi kanë djegur shtëpitë, sesi i kanë bërë masakrat. Të gjitha këto vepra lidhen me terrorin serb”,- thotë artisti Tafil Boletini.

M.B.