Me debate është shoqëruar diskutimi për pikën nr.4 të rendit të ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës, që kishte të bënte me ndryshimin e kategorisë së një sipërfaqeje pyjore (0.8 ha tokë) në zonën e Gjirit të Lalzit për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi turistik në atë zonë.

Këshilltarët e PD-së, që ishin vetëm 3 në sallë dhanë votën e tyre kundër, ndërsa këshilltarët e Partisë së Lirisë dhe PS-së (31 vota) votuan pro projektvendimit të propozuar nga bashkia.

Ndërtimi i resortit turistik Lura 5 ka marrë aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, por sipas këshilltarëve Muka dhe Burgija bregdeti i Durrësit është betonizuar mjaftueshëm. Ndërsa të majtët mbrojtën tezën se kompleksi në fjalë do t’i japë një hov më të madh zhvillimit të turizmit dhe në të do të punësohen dhjetëra punonjës. Të dy krahët e politikës akuzuan njëri – tjetrin për dëmin e bërë në mjedis në 35 vite demokraci.

Muka: “Unë jam për zhvillimin, por do ishte mirë që në zona të caktuara përveç beton, beon, beton të kishim zona të gjelbërta.

Burgija: “Heqja e këtij fondi pyjor në zonën e Ishmit pritet të ketë ndikime të konsiderueshme mjedisore. Heqja e 0.8 ha pyll do të thotë humbje e menjëhershme e habitatit”.

Musaraj: Nuk është e vërtetë që resortet që janë ndërtuar vitet e fundit, ose që pritet të ndërtohen janë jo vetëm beton, por kanë gjelbërim.

Markola: Unë vij nga Lura dhe të mos harrojmë masakrën pyjore dhe ekologjike që është bërë pikërisht nga partia opozitare që tani po mbron mjedisin”

Një tjetër pikë që nuk gjeti dakordësinë e këshilltarëve të të gjithë spektrit politik (26 pro, 8 kundër) ishte ajo që lidhej me raportin e monitorimit të zbatimit të buxhetit të bashkisë për vitin e kaluar.

Këshilltarët Muka, Burgija dhe Ibraj, gjatë fjalës së tyre, nënvizuan se shumë zëra të buxhetit rezultojnë të parealizuara, ndërsa fondi i menaxhimit të mbetjeve urbane të qytetit figuron i realizuar në masën 95.5%., kur shumë shërbime si Pastrimi, Ndriçimi etj mungojnë në shumë zona.

“Fonde të papërdorura nga procesi i Rindërtimit kalojnë në vitin 2025, ndërsa shumë familje durrsake  janë ende pa shtëpi pas 6 vitesh”,– tha ndër të tjera këshilltari Burgija.

Kjo mbledhje e Këshillit Bashkiak që u mbajt në kulmin e fushatës elektorale u drejtua nga kryetarja e komanduar Denisa Luarasi, pasi kryetari Ani Dyrmishi nuk mund të merrte pjesë, sepse garon për një mandat deputeti në parlamentin e ardhshëm.

Drejtimi i mbledhjes së KB-së për Luarasin ndodhi në të njëjtën ditë, kur ajo festonte ditëlindjen dhe për këtë arsye mori një sërë urimesh nga këshilltarët e pranishëm.

M.B.