Koncertet dhe muzika live në bare e restorante që prej muajit mars është e ndaluar për shkak të pandemisë së Covid-19.

Kjo gjë i ka çuar mjaft muzikantë drejt falimentimit dhe Elton Deda shprehet i revoltuar për këtë në rrjetet sociale.

Muzikanti i njohur shpreh shqetësimin e tij dhe të kolegëve, lidhur me masat e qeverisë që i lanë ata pa punë, pa menduar asnjë lloj kompensimi edhe pse muzikantët paguajnë gjithashtu taksa si gjithë qytetarët e tjerë.

“Tashmë, ne muzikantët në Shqipëri e Kosovë po hyjmë në muajin e 8 pa punuar.

Një pjesë dërrmuese e jona, të ardhurat kryesore i kanë prej punës së lodhshme deri në orët e para të mëngjesit, në klube, bare e lounge të ndryshme.

Nuk punojmë dot jo sepse jemi të paaftë por sepse nuk lejohemi.

Mbasi na kanë denigruar mirë e mirë me akte normative të bëra nga njerëz që thjesht nuk duan tja dinë për jetët e të tjerëve, mbasi na konsiderojnë pasanikë ndërkohë që shumë prej nesh po shkojnë drejt falimentit financiar, edhe nuk na dëgjojnë e nuk na përfillin.

Nëse na mbyllën, duhet të mendoheshe një strategji kompesimi.

Minimumi që mund të bëjë një shtet te i cili ne paguajmë rregullisht taksa.

Personalisht ndihem tepër pesimist më tepër prej indiferencës sesa prej gropës që thellohet çdo ditë.”– shkruan Deda.