Për 2 orë me radhë, 58 fëmijë të moshës 7-10 vjeç nga shkollat publike dhe jo publike të Durrësit u bënë protagonistë të spektaklit të bukurisë “Miss & MR Kids 2025”.

Konkursi i bukurisë, që këtë vit regjistroi edicionin e tij të dytë, është një event që ka lindur nga dëshira për t’i rritur fëmijët me frymën e artit, kulturës dhe të bukurës.

“Në fazën përzgjedhëse, morën pjesë 145 vogëlushë, por vetëm 58 prej tyre u përzgjodhën për të qenë pjesë e finales së madhe, të mbajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala”,– na tregon organizatori i këtij eventi Xhoni Mërkuri.

Ethet e konkurimit ishin të pranishme jo vetëm mes fëmijëve finalistë, por edhe prindërve dhe të afërmve, që ndiqni plot emocione sfilatat e tyre.

Nën ethet e përzgjedhjes ishte dhe juria e spektaklit, që duhet të përzgjidhte më të mirët e këtij konkursi bukurie.

Në përfundim të eventit u shpërndanë 4 çmime kryesore: Miss & Mister Kids Vera 2025 (Ajla Bregasi & Klaus Lumaj); Miss Kids Beauty (Hera Kume); Miss & Mr Kids Dyrrah (Ajsel Pepaj & Ivan Jovani) dhe Top Model Dyrrah (Ajlin Koseni & Alesio Shahini), ndërsa çmimi special Miss Kids Beauty Shijak shkoi për Ambla Arbanën, e vetmja përfaqësuese e qytetit në këtë konkurs bukurie.