Në qytetin e vogël por plot energji të Shijakut, u zhvillua edicioni i 6-të i eventit rinor “Miss & Mister Shijaku”, një nga aktivitetet më të ndjekura dhe më të dashura për të rinjtë e zonës. Me pjesëmarrjen e 34 konkurrentëve dhe me mbështetjen e Bashkisë Shijak, në veçanti të kryetarit Elton Arbana, ky edicion u finalizua me sukses, duke sjellë një spektakël të pasur në përmbajtje, stil dhe emocione.
Fituesit e këtij edicioni u shpallën Leorena Koni, 17 vjeçe nga gjimnazi “Kajo Karafili” në Maminas dhe Savio Gulashi nga shkolla “Rilindja” në Shijak. Ata do të përfaqësojnë qytetin në eventin kombëtar “Miss & Mister Turizmi” që do të mbahet në Vlorë, si dhe në evente të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Nën drejtimin e producentes së njohur Myzejen Konduri dhe stafit të saj profesionist, u përzgjodhën konkurrentët më premtues dhe u bashkuan komponentët më të spikatur të skenës shqiptare: koreografi Arian Plaku, fotografi dhe kameramani Endri Moku, muzika nga Joni Mekshi dhe “Sotiri Event”, si dhe një skuadër estetike e përkushtuar për të sjellë një performancë të kuruar deri në detaj.
Skena u ndriçua nga veshjet tradicionale të dyqanit “Veshje Popullore Trashëgimia” me drejtimin e znj. Xhevahire Kolgjini, veshjet elegante të “Anila Atiele” të administruar nga znj. Anila Mere dhe salloni “DSA” me veshje luksoze për djemtë, përgatitur nga znj. Sonila Harizi. Stilistja Frida Koljaka siguroi që çdo detaj të ishte në harmoni me konceptin artistik të spektaklit.
Atmosfera u gjallërua nga prezantimi karizmatik i Xheni Kondurit, si dhe interpretimet muzikore nga emra të njohur si Valbona Halili, sopranoja Luljeta Estrefi, Aurel Thellimi, Erik Lloshi dhe grupi i valleve të QKF-së nën drejtimin e znj. Gabriela Rama.
Përtej spektaklit, qëllimi i aktivitetit ishte të evidentonte, kultivonte dhe promovonte trashëgiminë kulturore përmes angazhimit të të rinjve, duke u dhënë atyre besim dhe hapësirë për të realizuar ëndrrat e tyre.