Vijojnë në Durrës operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, operacioni policor i koduar “Neighborhood”.

Arrestohet në flagrancë 24-vjeçari E. Koliqi, që shpërndante drogë në lagjet e qytetit të Durrësit.

Si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative, për një tjetër rast të shitjes së lëndëve narkotike në lagjet e qytetit të Durrësit, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Neighborhood”, arrestuan në flagrancë shtetasin E. Koliqi., 24 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi një sasi lënde narkotike kanabis të ndarë në doza gati për shtije. Lënda narkotike dhe dy aparate celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.