Drejtoresha e bibliotekës konstaton se vit pas viti është rritur numri i lexuesve, ndërkohë pozitiv është fakti që gjimnazistët mbeten grupmosha me frekuentimin më të dendur. Si pasurohet çdo vit fondi i librave, i cili tashmë është 53 herë më i madh sesa kur është hapur në vitin 1945.

Krahas shtimit të fondit të bibliotekës me tituj të rinj, vit pas viti ka ardhur duke u rritur dhe numri i lexuesve të rregullt. Kështu, në vitin që sapo u mbyll, numri i përgjithshëm i lexuesve ka arritur rreth 16 mijë përdorues. Por nëse moria e titujve dhe frekuentuesit e bibliotekës rriten në mënyrë progresive, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për përmirësimin e kushteve në të cilat ruhet fondi i librave apo ato të sallës së leximit. Problemi i mungesës së hapësirave të nevojshme në bibliotekë dhe ambientet e saj aspak të papërshtatshme për ruajtjen e antikuarëve me mjaft vlera është i njohur tashmë e vazhdon prej vitesh. Drejtoresha e kësaj biblioteke, Flora Dervishi, thotë se shpresa ende nuk ka vdekur, ndoshta një ditë vërtet ndonjëri prej projekteve të hartuara do të nisë të zbatohet, por vetëm uron që kjo gjë të mos ndodhë atëherë kur të jetë shumë vonë.

Znj. Dervishi, në morinë e titujve të shumta që çdo ditë hidhen në treg nga shtëpitë botuese, cilat janë kriteret, që zbaton institucioni juaj për të pasuruar fondin e tij me libra të rinj?

Kriteri bazë për pasurimin e fondit libror të Bibliotekës Publike, është përzgjedhja e vlerave dhe prurjet që përfshijnë të gjitha fushat ose dhjetë degët e shkencës. Gjithashtu mbahen parasysh edhe preferencat e lexuesve. Koncepti se leximi apo biblioteka nënkupton vetëm romane, është minor dhe i tejkaluar…

Sa tituj të rinj hyjnë çdo vit në bibliotekë dhe a mendoni se fondi i bibliotekës arrin t’i plotësojë kërkesat e të gjithë lexuesve, sidomos me tekste shkencore duke pasur parasysh faktin, se tani qyteti ynë ka universitetin e tij?

Kjo varion … Konkretisht për vitin 2011, biblioteka është pasuruar me 808 tituj, libra të rinj, që shkojnë si ekzemplarë 1607 (njësi) me vlerë rreth 1.2 milion lekë. Pra pikërisht tek të anëtarësuarit kërkesat realizohen diku tek 80 %. Natyrisht ne kemi specifikën tonë të përcaktuar në ligj, pra nuk jemi bibliotekë universitare, por ndërkohë filozofia jonë është mospërjashtimi i asnjë kategorie. Për këtë flasin faktet siç është pasurimi i bibliotekës së Universitetit “Aleksandër Moisiu” me 600 njësi në gjuhën angleze. Pra kemi ndarë donacione që i kishim në kopje të tepërta me ta. Gjithashtu nga 557 studentë që frekuentuan bibliotekën tonë gjatë 2011-ës, 450 janë të UAMD-së. Ndarja 37 në të cilën përfshihet Edukimi dhe mësimdhënia është pasuruar në masën 90 % të kërkesave, me prioritet për studentët.

Sa rol luajnë donacionet private për te pasuruar fondin e bibliotekës me tituj të rinj?

Po i referohem përsëri shifrave për donacionet libër. Ato janë 285 tituj dhe 632 ekzemplarë me vlerë monetare 291.030 lekë. Këto libra i janë shtuar fondit të bibliotekës falë donacioneve apo dhurimeve nga shkrimtarë, lexues, miq etj. Një rol të rëndësishëm në donacionet për librin kanë luajtur dhe fondacionet si ALSARI (me numrin më të madh të titujve), Saadi Shirazi e Fridrih Ebert. Ndërkohë vlen të përmendet edhe kontributi i shtëpive botuese si ACUSICA dhe DDS të cilat i falenderoj publikisht përmes gazetës tuaj.

Në vitin që sapo u mbyll sa ishte numri i lexuesve të rregullt dhe cila është grupmosha që e frekuenton më shumë bibliotekën?

Në total numri i lexuesve që kanë frekuentuar bibliotekën gjatë vitit 2011 është rreth 15.700 përdorues. Nga këta, rreth 6.500 janë anëtarë të bibliotekës, rreth 8.900 janë të periodikëve, ndërkohë që rreth 300 persona i janë drejtuar bibliotekës për konsulencë ose guidë. Nëse ndalemi tek grupmoshat, adoleshentët përbëjnë numrin e lexuesve më të rregullt, rreth 850 të tillë. Vlen të përmendet se shkolla e mesme e përgjithshme “Naim Frashri” është ajo që ka numrin më të lartë të të anëtarësuarve për disa vite rreth. Nga kjo shkollë kemi çdo vit rreth 370 lexues të rregullt.

Duke iu rikthyer çështjes së botimit të shumë librave të rinj. Ne këndvështrimin tuaj, kjo është një gjë e mirë apo botimi i shumë autorëve nënkupton edhe libra më pak cilësorë? Sa e penalizon tregun e librit mosekzistenca e kritikëve të mirëfilltë të artit të letrave?

Natyrisht dialektika na mëson se sasia nuk është cilësi Postdiktatura është një etapë më vete me fenomenet e saj, edhe në krijimtari. Pra, ndihet ende e fortë sindroma e lirisë së munguar… Të jetë e vetmja arsye? (natyrisht jo!). Koncepti liri dhe shpërdorimi i saj edhe në letërsi mbeten të keqkuptuar në kufij fatalë. Ndërsa përsa i përket pyetjes a e penalizon tregun e librit, ajo që më shqetëson mua si njeri i ngrehinës së librit dhe letrave është se mungesën e kritikëve dhe mendimin akademik nuk e lidh me penalizimin e tregut, por tragjikisht me penalizimin e gjeneratave… Pra, prishjen e shijes së lexuesit. Vëmë re se kërkesat për letërsinë shqiptare janë në minimum (Kadare, Kongoli, Zllami.) Aq më tepër për poezinë. Dhe kjo do vazhdojë sa kohë të mos shterin sprovat (kopjimet) gjoja moderniste, por edhe të mos ndajmë bejten nga poezia. Çfarë edukojmë? Krahasoni një fëmijë që rritet që në embrion me muzikë nga Bethoven, Moxart dhe një që rritet me xhinxhilenë..apo me asgjënë …

 

265.000 libra ndodhen sot në fondin e bibliotekës, duke përfshirë edhe periodikët

808 tituj kanë hyrë në fondin e Bibliotekës së Durrësit vetëm gjatë vitit 2011

600 njësi në gjuhën angleze i janë shtuar bibliotekës së Universitetit “A. Moisiu”

557 studentë frekuentuan bibliotekën gjatë vitit 2011, 450 prej të cilëve të UAMD

850 adoleshentë përbëjnë numrin e lexuesve më të rregullt, ku shquhet gjimnazi “N. Frashri”

15.700 përdorues kanë frekuentuar bibliotekën gjatë vitit 2011. Rreth 6.500 janë anëtarë 

Për shumë vite është folur mjaft për gjendjen thuajse të amortizuar të ambjenteve të bibliotekës, por asgjë nuk është bërë në këtë drejtim? Si e shpjegoni ju këtë indiferencë të theksuar të të gjitha organeve përgjegjëse dhe cili është reagimi i tyre për këtë vonesë të pafalshme dhe harresë ndaj librit?

Shpjegimi i arsyeve të indiferences së organeve, si kompetencë, nuk më përket mua. Bashkëpunëtorët e mi dhe unë si drejtuese nuk jemi indiferentë… Mendoj se nuk është zgjidhje komenti mbi faktin. Problemi i godinës së re është i tejmbartur dhe i vonuar, por pika kritike u qëlloi të zgjedhurve aktualë. Me sa di, vendimet merren në kuvendin vendor prej 45 këshilltarësh… Ndodh hera-herës të ndjehemi si oaz apo ishull se kush do ta bëjë avokatinë e institucionit të librit, bankës diturore të të gjithë qytetarëve, por shpresa nuk ka vdekur. Dhe, nuk besoj se është çështje harrese …!

Kohët e fundit edhe ambientet e bibliotekës britanike lënë shumë për të dëshiruar duke vënë në rrezik fondin e librave që ndodhen aty.Cila është përgjigja që keni marrë nga institucionet që duhet të ndërhyjnë për të bërë riparimet e nevojshme?

Të gjitha rrugët të çojnë tek biblioteka e re (mesa di edhe drejtori i muzeumeve z. Edmond Agolli e ka kërkuar riparimin e maozeleumit të dëshmorëve). Riparime do të ketë sapo të aprovohet buxheti i këtij viti (Qoftë e afërt ajo ditë!).

Aktualisht sa për qind e fondit të librave të bibliotekës rrezikon të dëmtohet ose të shkatërrohet përgjithmonë nëse nuk ka një ndërhyrje të shpejtë?

Në rrezik janë lexuesit dhe stafi dhe është krejtësisht inefiçente salla e veprimtarive me librin, që organizonim atje. Të dëmtueshme natyrisht, pa fluks drite e në lagështirë libri është i rrezikuar, e jo më uji.

Prej disa kohësh edhe Biblioteka lëvizëse nuk është më në funksion? Kur mendoni se mund të rivihet në punë apo do jetë e nevojshme blerja e një automjeti të ri për këtë qëllim?

Po. Kjo është e vërtetë, por pa kaluar provën e kontrollit teknik vjetor nuk funksionon. Nuk mendoj se do të jetë e nevojshme blerja e një automjeti të ri. Dhe këtë e kemi argumentuar me stadin aktual të zonës migratore, ku shërbimi lëvizës filloi si infrastrukturë edukative 12 vjet më parë.

Duke qenë se jetoni prej shumë vitesh në qytetin e Durrësit dhe keni ndjekur gjithnjë nga afër aktivitetet artistike kulturore. A mendoni se mund të bëhet shumë më tepër në kuadër të gjallërimit të jetës artistike dhe a gjejnë artistët e rinj hapësirat e nevojshme për të shpalosur talentin e tyre në këtë drejtim? 

Unë jetoj e punoj në këtë qytet përmbi 35 vjet. E kam ndier gjithnjë veten qytetare e botës së lirë, kudo … Aq më tepër, pjesë aktive e këtij qyteti, veçmas tek kultura e shkruar. Për promocionin e talenteve të reja e kemi një nga detyrat në fokus. Ja, mund të shfletoni antologjinë e gjimnazeve “Vargje rinore” botim i këtij fundviti me mbështetjen e Bashkisë. Jeta artistike gjallërohet nëse mbështeten me fonde strukturat e specializuara, por edhe nëse ato kanë ide dhe përballen me iniciativat e lira që ndodh të jenë edhe diletanteske. Mos harroni se mediokrit janë të pamposhtur.