Disa ditë më parë, vendi ynë është anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë, duke u bërë anëtari i 98-të i tij.

Për kapitenin e Shërbimit Hidrografik Shqiptar, Emrush Bejdo, ky anëtarësim është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë, për njohjen ndërkombëtare të cilësisë së sigurisë së lundrimit në hapësirën tonë detare.

Anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare sjell me vete përgjegjësi, por edhe benefite të shumta për Shërbimin tonë Hidrografik shpjegojnë për “DurrësLajm” kapiteni Bejdo dhe lejtnanti Klorindo Krriku.

Të gjithë elementët e sigurisë lundrimore, pra sistemin faro-fener, ne duhet t’i kemi në gaditshmëri të plotë. Kjo është përgjegjësia jonë.”,- thotë kapiteni Bejdo.

Përfitimet janë 10 herë më të mëdha sesa detyrimet që kemi ndaj organizatës, duke filluar që nga trajnimet dhe kualifikimet e personelit. Gjithashtu edhe asistencë në pajisje teknologjike të siguruar nga organizata.”,– bën të ditur lejtnanti Krriku.

Në përbërje të Shërbimit Hidrografik Shqiptar janë 28 efektivë, personel civil dhe ushtarak, puna e të cilëve është e përqendruar në sigurimin e kushteve lundrimore dhe të sinjalistikës detare për një lundrim të parrezikshëm në hapësirën tonë detare.

Anija A82 apo siç njihet ndryshe “Shqiponja”, pjesë e Shërbimit Hidrografik, kryen një monitorim periodik të të gjithë bregdetit shqiptar për të mbledhur të dhënat batimetrike, të cilat përdoren ndër të tjera për hartat digjitale.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë pritet të shoqërohet edhe me një fluks të shtuar lundrimesh turistike. Tregues mjaft i qartë i kësaj është rritja konstante e shitjes së hartave digjitale të Republikës së Shqipërisë.

“Porti i Sarandës, që është shumë i vogël, ka pasur të njëjtën shitje hartash, si porti i Durrësit. Kjo do të thotë që ka pasur më shumë prekje anijesh të vogla, anijesh turistike. Dy vitet e fundit, që ne kemi mundësi të shesim harta elektronike shikojmë një fluks në rritje, sidomos për portet turistike.“,- thotë kreu i Shërbimit Hidrografik Shqiptar.

Në dy vitet e fundit, për shkak të kushteve mjaft të vështira atmosferike, që kanë përfshirë gjirin e Durrësit, kemi pasur disa raste të shkëputjes së bovave sinjalizuese. Kapiteni Emrush Bejdo thotë se Forca Detare po planifikon blerjen e një anijeje hidrografike, e cila do të ndihmojë në këtë drejtim.

Ndërkohë, prioritet tjetër i këtij Shërbimi është edhe digjitalizimi i të gjithë sistemit faro-fener.

Bregdeti shqiptar po bëhet gjithmonë e më tepër një nga destinacionet më të frekuentuara nga anijet turistike. Sot, SHHSH mirëmban 74 fenerë, nga të cilët 47 në tokë dhe 27 në det.

M.B.