Një burrë që u gjet i pajetë këtë të shtunë brenda një plantacioni marijuane në Mont-roig del Camp (Tarragona) raportohet se është nga Shqipëria.

Sipas mediave vendase, autoritetet besojnë se shqiptari ishte përgjegjës për bimët e kanabisit, pranë të cilave u gjet i vdekur, i rrethuar nga një pellg gjaku dhe me një tub gazi në gojë.

Mediat spanjolle bëjnë me dije se duke qenë se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune, ekspertët mjeko-ligjorë e kanë trajtuar vdekjen e tij si vetëvrasje deri më tani, por kanë lënë të hapur mundësitë duke vijuar hetimin e rrethanave.

Në shtëpinë ku ndodhej plantacioni i kanabisit nuk janë gjetur bimët e prera, por vetëm mbetjet e tyre.

Policia beson se ai ishte përgjegjës për plantacionin e marijuanës që ndodhej në këtë shtëpi në Casalot Park. Autoritetet spanjolle janë duke hetuar vdekjen e shqiptarit.