Guardia di Finanza e Breshias në Itali goditi një rast të trafikut të sasive të mëdha të drogës se transportuar nga Amerika e Jugut për në Evropë.
Një 22-vjeçar shqiptar që besohet se bënte korrierin, u kap duke transportuar me makinën e tij “Audi” një ngarkesë prej 110 kg kokainë të pastër.
Aksioni u krye në rajonin e Bergamos në fundjavë dhe autoritetet deklaruan se malli ishte ndarë në 91 pako dhe kishte një vlerë tregu të paktën 5 mln euro. Makina ishte futur në një garazh dhe makinë ishte e paregjistruar.
“Dërgesa e ruajtur në garazhin Sarnico, me shumë mundësi vetëm një ndalesë në udhëtimin e saj nëpër Evropë, u zbulua nga specialistë të GOA-s (Grupi i Operacioneve Kundër Drogës) dhe GICO ( Grupi i Hetimit të Krimit të Organizuar) të Brescia Guardia di Finanza, e cila vitet e fundit ka ndërprerë disa rrugë furnizimi me drogë për në Bergamo, Brescia dhe Milano”, u shprehën autoritetet.
Hetimi filloi me raportime për aktivitet të dyshimtë rreth një garazhi në Sarnico, dhe mbikëqyrja çoi në identifikimin dhe arrestimin e një 22-vjeçari shqiptar, banor i Grumello del Monte, i cili vepronte si kujdestar i garazhit.
Ai u dërgua në burg në Bergamo në pritje të vërtetimit, i planifikuar për sot.
“Kjo dërgesë tregon më tej, siç kanë bërë disa hetime të përfunduara në muajt e fundit, se Bergamo dhe Brescia janë një qendër për dërgesat ndërkombëtare nga grupe të lidhura me mafian shqiptare, të cilat më pas furnizojnë me mallra dhjetëra organizata kriminale në të gjithë Italinë”, thanë autoritetet për median italiane.





