Duke qenë se stacionet janë fikur, Shoqëria Rajonale Ujësjëllës Kanalizime Durrës (SHRUKD) po e shfrytëzon këtë ditë për të kryer procese të ndryshme riparimi dhe mirëmbajtje.

Sektori i mirmbajtjes po punon për riparimin e pompave zhytëse në disa puse që gjenden në të dy vendburimet që furnizojnë me ujë qytetin e Durrësit dhe fshatrat.

Gjithashtu, po kryhen saldime të tubacionit kryesor aty ku janë shfaqur dëmtime apo çarje të tij. Paralelisht me këto punime, një pjesë e punonjësve të SHRUKD të sektorit të logjistikës po punon për pastrimin e linjës ajrore të energjisë elektrike që furnizon stacionin e Fushë Milotit dhe për riparime të tjera elektrike.

Në këtë zonë, plepat e lartë bëhen shkak për defekte të shumta në linjën e energjisë elektrike, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit.

Difekte të tilla shkaktojnë dëme të mëdha në nënstacionin elektrik dhe atë të pompave kur energjia ndërpritet pa paralajmërim. Të gjithë këto procese pune po kryhen në një kohë kur stacionet janë fikur në mënyrë që të mos ketë stakime të tjera për riparimin e difekteve që shfaqen pothuajse rregullisht në linjën e vjetër të transmetimit të ujit nga Fushë Kuqja në Durrës.

Punimet në fjalë po kryhen edhe për të qenë në gatishmëri për të siguruar furnizim normal me ujë të pijshëm për të gjithë zonën e shërbimit, sidomos në këtë periudhë që përkon edhe me nisjen e sezonit turistik.