Një prej shkrimtarëve më të lexuar bashkëkohorë, spanjolli Carlos Ruiz Zafon ndërroi jetë pas një beteje dy vjeçare me kancerin. Autori i disa romaneve të suksesshëm vlerësohet si një nga romancierët më të rëndësishëm të letërsisë moderne.

Shkrimtari i mirënjohur spanjoll, autor i disa romaneve bestseller përfshirë edhe “Hija e erës”, Carlos Ruiz Zafon është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare.

I vlerësuar si autori më i lexuar në Spanjë që nga koha e Servantesit, Zafon ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Los Anxhelos.

Për ndarjen nga jeta të shkrimtarit reagoi edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter u shpreh: “Ne kemi humbur një nga shkrimtarët më të lexuar dhe admiruar në të gjithë botën. Carlos Ruiz Zafón, romancieri kryesor i epokës sonë, dha një kontribut të rëndësishëm në letërsinë moderne.”

Autor i 8 romaneve, përfshirë “Loja e Engjëllit” dhe “Labirintet e shpirtit” dhe fitues i shumë çmimeve, Zafon është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës, ndërsa ka shitur rreth 8 milionë kopje të librave të tij në mbarë botën.

Në shqip për herë të parë veprën e Carlos Ruiz Zafon e ka sjellë përkthyesi, i ndjeri Ardian Klosi.