Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë fëmijët, të cilët nga kqyrja e kamerave të sigurisë shfaqen duke hedhur mbeturina në një karrocë e cila konsiderohet si vatra prej nga ku shpërtheu zjarri i 14 prillit që dogji pallatin shumëkatësh në Tiranë.

Të miturit e identifikuar janë banorë të kompleksit dhe marrja e tyre në pyetje është kryer në prani të psikologëve dhe prindërve.

Ata kanë treguar se nuk bënë asgjë me paramendim dhe se kishin parë një vazo të djegshme, që pranë kishte mbeturinat në karrocën që gjendej pranë një kondicioneri.

Ndërkohë, prokurori i çështjes ka urdhëruar policinë që të kryejë veprime të tjera në vendngjarje, duke përfshirë marrjen në pyetje të disa shtetasve të tjerë.

Ende nuk ka përfunduar akt-ekspertimi shkencor, ndërsa nga referimi i policisë që kishte arrestuar 4 persona, ata dyshohen se shkelën rregullat për mbrojtjen nga zjarri. Për 4 të dyshuarit në gjykatën penale u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 14 prill, ku si pasojë e zjarrit që përfshiu pallatin u shkrumbuan 30 apartamente. Një ditë më pas kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale tha se apartamentet do të rindërtohen 100% nga vetë kompania. Kompania “Arlis” nëpërmjet një reagimi zyrtar konfirmoi rindërtimin e apartamenteve të djegura.