Një konferencë e mbajtur së fundmi me temë “Stili i jetesës dhe reduktimi i risqeve” ka nxjerrë në pah lidhjen mes mënyrës së jetesës dhe rritjes së sëmundshmërisë, sidomos te të rinjtë. Mjekë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme të mjekësisë ngritën shqetësimin për ndikimin e varësive moderne, kequshqyerjen dhe pasivitetin fizik.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Shëndetit Publik, Ardian Hoxha, theksoi rrezikun që vjen nga varësitë, sidomos tek adoleshentët:
“Shumë i ndjeshëm është impakti në pjesën sociale, sidomos me varësinë karshi lojërave elektronike, bixhozit apo rrjeteve sociale,” – u shpreh ai.
Nga ana tjetër, raportet ndërkombëtare të shëndetit kanë vënë vazhdimisht theksin tek kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik, veçanërisht tek fëmijët, si faktorë që rrisin obezitetin dhe probleme të tjera shëndetësore.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakcolli, bëri me dije se Shqipëria po ndërmerr hapa për të përmirësuar gjendjen. “Kemi futur programin e shëndetit në shkolla që të merret informacion se si të ushqehemi,” deklaroi ajo. /EuronewsAlbania