Teuta vijon të jetë macja e zezë e Skënderbeut edhe në këtë sezon. Humbja e djeshme e korçarëve në fushën e vet ka lënë të zhgënjyer tifozët bardhekuq, që kanë shprehur haptazi pakënaqësinë për rezultatin dhe mbi të gjitha me gjykimin, që sipas tyre ka lënë shumë hije dyshimi.

* Kontestime për gjykimin ka pasur gjatë gjithë pjesës së dytë edhe dyshja e stolit bardhekuq. Si Gvozdenoviç ashtu edhe Liçi kanë treguar haptazi se gjykimi nuk ka qenë i drejtë, madje duke hyrë disa herë në debat me kryesorin Hamiti, i cili në një moment ka vendosur të ndëshkojë me kartonin Gentian Liçin dhe ka këshilluar për qetësi trajnerin Gvozdenoviç.

* Edi Martini ka shkundur herë pas here ekipin e tij deri në minutën e 60-ë të takimit. Shkodrani i pankinës së Teutës ka kërkuar reagim nga të tijtë, duke bërtitur shpesh për luftë te topi i dytë dhe menaxhim i situatave.

* Gvozdenoviç nga ana e tij ka pasur kritika në golin e pësuar në pjesën e parë dhe golin e tretë, pasi sipas tij mbrojtja ka qenë e pavëmendshme në momentet finale të aksionit.

* Igli Tare ishte i pranishëm në stadiumin Skënderbeu për të ndjekur nga afër këtë takim. Pas minutës së 83-ë, ish-drejtori i Lacios pa nga afër debutimin e djalit të tij, Etien Tare, me Skënderbeun.