Pas një muaji agjërim, lutje, adhurime, besimtarët myslimanë shqiptarë dhe ata në mbarë botën, festojnë sot Fitër Bajramin.

Dhjetëra besimtarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit në qytetin e Durrësit, që këtë vit u shoqërua edhe nga reshjet e shiut.

Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, në qytetin bregdetar ka nisur në 6:20 të mëngjesit, kur dhjetëra besimtarë myslimanë falin namazin, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë. 

Të gjithë besimtarët, së bashku me familjet mblidhen në drekën e madhe të Fitër Bajramit që simbolizon mbylljen e muajit të sakrificës, .

Edhe stafi i “DurrësLajm” iu uron të gjithë besimtarëve myslimanë gëzuar Fitër Bajramin!

Pse festohet Fitër Bajrami
Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fiter Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë. Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Namazi i Bajramit është obligim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve të tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër. Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngrihet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure, më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.