DURRËS, 18 tetor 2014–  Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, thotë se Edi Rama do të etiketohet nga të gjithë shqiptarët si një tradhtar nëse vendos të shkojë në Beograd, sipas vizitës së paralajmëruar më 22 tetor.

Në një intervistë për KosovaPress, Spahiu argumenton arsyet se pse kryeministri shqiptar nuk duhet të vizitojë Beogradin, sidomos pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Ai thotë se është Serbia ajo që duhet të bëjë hapin e para për një vizitë të tillë, dhe këtë ta bëj pasi t’i ketë kërkuar falje Kosovës për krimet që ka bërë.

Një vizitë e tillë thotë Spahiu do t’i ulte kokën shqiptarëve dhe vetë kryeministrit Rama që nëse shkon në Serbi, përfaqëson atje 10 milionë shqiptarët kudo në rajon e në botë.

Spahiu dënon dhunën e ushtruar në Beograd ndaj shqiptarëve duke i quajtur serbë racistë dhe barbarë.

Gjithashtu, në këtë intervistë, Spahiu flet edhe për situatën politike në Kosovë, ku iu bën apel forcave politike të ulen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për të ardhmen e Kosovës.

KosovaPress: U bënë disa ditë që në Shqipëri nuk po flitet për gjë tjetër veç vizitës së kryeministrit Rama në Serbi. Dhe në fakt pyetja jonë ka të bëjë pikërisht me këtë gjë, a duhet te shkojë kryeministri Rama në Beogard?

Spahiu: Ne jemi në mënyrë kategorike që një vizitë e kryeministrit shqiptar pas 70 vitesh, pas vizitës së Enver Hoxhës në vitet 1945-1946 nuk duhet lejuar dhe nuk duhet pranuar sepse mund të sjellë të njëjtat dëme dhe pasoja që ka sjellë takim i Hoxhës me JosifBrodskin. Shqipëria duhet të jetë e përgatitur me një axhendë që të ketë një konsensus politik mbarëkombëtar, më qëllim që kryeministri i cili përfaqëson interesat e të gjithë shqiptarëve të realizojë një takim të suksesshëm. Edi Rama nuk shkon si qytetar, nuk shkon për turizëm, por si kryeministri i shqiptarëve. Edhe Serbia nuk e thërret Edi Ramën si një kryeministër trendi por e thërret atje si një kryeministër i një vendi që përfaqëson interesat e 10 milionë shqiptarëve në rajon.

KosovaPress: Kjo vizitë është vënë në pikëpyetje pas ngjarjeve që ndodhën në Beograd. Si do ta komentonit ju incidentin e Beogradit dhe qëndrimin e qeveritarëve serbë pas kësaj ngjarje?

SpahiuTakimi i Ramës në Beograd nuk duhet të keqpërdoret dhe nuk duhet të jetë një armë plus për diplomacinë dhe politikën serbe, e cila ka demonstruar zyrtarisht dhe publikisht një racizëm shtetëror që u identifikua më së fundmi. Ashtu siç ka thënë Ismail Kadare në veprën e tij "krushqit janë të ngrirë", ajo çka ndodhi ishte një demonstrim i albanofobisë që kanë serbët ndaj shqiptarëve. Racizmi nuk ekziston vetëm te individi apo komunitetet në Serbi por është i ndërtuar institucionalisht. Pra, në një shtet ku gjithë popullsia dhe gjithë kombi i tyre mbajnë një marrëdhënie të akullt me kombin shqiptar për shkak të politikës dhe diplomacisë serbe, në mënyrë absolute vizita e Ramës atje do t’i shërbente rritjes së autoritetit serb dhe do të dëmtonte rëndë interesat shqiptare.

KosovaPress: Atëherë në çfarë rrethanash duhet të shkoj kryeministri Rama në Serbi?

SpahiuEnde nuk ka një ndjesë nga Serbia për krimet që kanë kryer, ende Serbia fsheh trupat e mijëra shqiptarëve të vrarë, të ekzekutuar nga milicia serbe, ende Serbia ka pretendime territoriale dhe deklaron se Kosova është djep i Serbisë, ende Serbia nuk njeh pasaportat e Kosovës, ende Serbia mbyll kufijtë për shqiptarët. Është krejt e papranueshme që kur mbyllen kufijtë për 10 milionë shqiptarë nuk mund të shkoj një individ në emër të 10 milionë shqiptarëve qoftë ky dhe Edi Rama. Vajtja e Ramës atje kokulur më shumë demonstron se viktima duhet ti kërkojë falje xhelatit dhe jo siç është parimi i përbotshëm që paqja mund të fillojë kur xhelati të kërkojë ndjesë.

KosovaPress: Megjithatë hapat e parë duhen bërë nga njëra palë pikërisht për të hedhur pas këtë të kaluar brutale për të cilin ju flisni, dhe për të parë nga e ardhmja, drejt integrimit në BE ku të dyja vendet aspirojnë?

SpahiuPikërisht ky hap i parë duhet të hidhet nga Serbia dhe jo nga Shqipëria, ky hap i parë duhet të hidhet nga ata që kryen krime dhe jo nga ata të cilët u vranë, dhe mendoj se ata të cilët kanë bashkëpunuar me Millosheviqin duke filluar që nga Daçiq dhe një pjesë e mirë e të gjithë politikanëve që sot qeverisin Serbinë, kanë një detyrim moral, ligjor, politik, diplomatik që ta hedhin ata hapin e parë dhe jo ne. Kryeministri shqiptar ka zgjedhur të shkojë atje pas vizitës së Valdimir Putin, pra Beogradi pret dy kryeministra nazistin Vladimri Putin dhe socialistin Edi Rama. Shpresoj mos të jenë të rastësishme, kam kohë që në politikë nuk besoj te rastësia.

KosovaPress: Si mendoni se do ta pres populli shqiptar vizitën e kryeministrit Rama në Serbi?

SpahiuIncidenti tregoi se futbollistët janë më dinjitozë se politikanët shqiptarë qofshin këto nga Shqipëria apo Kosova apo Maqedonia. Incidenti ishte vazhdimësi dhe demonstrim i asaj se çfarë kanë përbrenda racistët dhe barbarët serbë. Incidenti nuk mendoj se do ta ndal Ramë, por ashtu siç nuk do të ndal shqiptarët të cilët pritën si heronj në aeroportin 'Nënë Tereza" 11 heronjtë e Beogradit ashtu më datë 22 tetor shqiptarët do të ecin dhe marshojnë drejt aeroportit 'Nënë Tereza' për të pritur Ramën këtë herë jo si hero por si tradhtar.

KosovaPress: Çfarë duhet të ketë primare në axhendën e tij kryeministri Rama?

SpahiuKryeministri Rama nuk duhet të shkojë si gënjeshtar i shqiptarëve dhe i ndërkombëtarëve. Kryeministri Rama premtoi se do të vëllazëronte dy qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës. E nisi me një axhendë që u quajt "Lidhja e dytë e Prizrenit', duke u takuar me qeverinë Thaçi. U premtua që në maj të këtij viti do të realizohej takimi i radhës i dy qeverive simotra në Vlorë, në Vlorën e IsamilQemalit. Dhe që nga maj ka gënjyer nuk e ka realizuar bashkimin dhe përafrimin e Shqipërisë me Kosovën, duke e spostuaraxhendën e takimit të dy qeverive që do të përqasnin axhendat e përbashkëta Shqipëri-Kosovë, duke vënë prioritare vizitën e Beogradit. Jo kryeministri Rama nuk mundet të mbivendos axhendën shqiptare duke e zëvendësuar me atë serbe. Pra Edi Rama nuk mund të shkel në Beograd por duhet të vazhdojë axhendën e përafrimit të dy qeverive, Tiranës dhe Prishtinës, sepse ky është një premtim i tij, kjo është një pritshmëri i mbarë kombit shqiptar. Janë miliona njerëz që kanë vizituar edhe në Tiranë dhe në Prishtinë për këto qeveri, ato duhet të mbajnë premtimin përpara popullit dhe këtë duhet ta kërkojë me forcë jo vetëm Tirana, por edhe politikanët edhe votuesit në Kosovë.

KosovaPress: Të kalojmë në një çështje tjetër, të flasim pak për Kosovën. Si do ta komentonit ju situatën politike në Kosovë, kanë kaluar 4 muaj që nga procesi i zgjedhjeve dhe ende nuk është formuar qeveria e re?

SpahiuSituata politike dhe ekonomike në Kosovë është shumë zhgënjyese. Nuk ka shqiptar nga Presheva në Prevezë, nga Tirana në Prishtinë, nga Ulqini në Tetovë, të mos kenë pasur një pritshmëri tjetër pas shpalljes së Pavarësisë dhe njohjes së shtetit të Kosovës. Ajo çka ndodh sot në Kosovë është një nga zhgënjimet më të mëdha për shqiptarët, mosrealizimi dhe mosformimi i Qeverisë së Kosovës nuk bën gjë tjetër veçse iu jep argument që të gjithë armiqve apo zërave diplomatikë antishqiptarë, të cilët deri dje kanë kundërshtuar shpalljen e Pavarësisë së shtetit të Kosovës, duke argumentuar se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese. Mosrealizimi dhe mosformimi i qeverisë së re të Kosovës është një akuzë dhe një barrë e rëndë për politikanët dhe partitë politike në Kosovë, qofshin këto të spektrit të majtë qofshin të spektrit të djathtë, qoftë mazhorancë, qoftë opozitë.

KosovaPress: Çfarë duhet të bëjnë partitë politike në Kosovë, përfshirë PDK-në e Hashim Thaçit dhe partitë e opozitës që po mundohen të krijojnë një koalicion?

SpahiuKanë detyrimin që për herë të parë të sakrifikojnë për të gjetur dialog, gjuhën e komunikimit dhe të bashkëpunimit, ata nuk duhet të shikojnë si armiq njëri-tjetrin si Berisha me Ramën, Nano me Berishën, Rama me Bashën etj. e shikojnë njëri-tjetrin si armiq dhe respektojnë më shumë ndërkombëtarët. Në Kosovë duhet të mësohemi që duhet të kemi një qeveri dhe institucione që nuk zgjidhen me zarf nga ndërkombëtarët por një qeveri që zgjidhet nga populli, dhe vota e popullit e shqiptarëve të Kosovës duhet respektuar.

KosovaPress: Si mund të zgjidhet ky ngërç institucional?

SpahiuNgërçi institucional që po ndodh atje lyp nevojën urgjente të ndryshimeve kushtetuese, sepse eksperienca e zgjedhjeve në Kosovë ka hedhur dritë për kriza institucionale dhe politike që po burojnë nga kjo kushtetutë. Absolutisht Kushtetuta e Kosovës po bëhet çdo ditë e më shumë një pengesë për të ardhmen e shqiptarëve, për progresin e Kosovës dhe për funksionimin e institucioneve, parlamentit dhe qeverisë së Kosovës. Nëse duam të fillojmë të shpresojmë për një Kosovë tjetër faktori politik, opozitë dhe mazhorancë duhet të gjejnë gjuhën të ndryshojnë Kushtetutën e Kosovës, këtu fillon ABC e përafrimit me Shqipërinë këtu fillon ABC e dialogut, komunikimit dhe zhvillimit të Kosovës por me sa duket këta liderë politkë më shumë largohen ndaj njëri-tjetrit se sa afrohen.

 /marrë nga Express/