Nga Gëzim KABASHI

25 instrumentistë nga vende të ndryshme të botës do të jenë të shtunën në mbrëmje protagonistë të një koncerti të veçantë në Spanjë.

Që të gjithë anëtarë të Grupit instrumental “Siglo XX”, nën drejtimin e violinistit shqiptar Florian Vlashi, ata do të kremtojnë 25-vjetorin e krijimit me një koncert që organizohet në sallën me 1,700 vende të Pallatit të Operas në Corunja.

Themeluesi dhe njëkohësisht drejtuesi 59-vjeçar i këtij grupi, që u formua më 8 prill 1997 ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të festuar veprimtarinë një çerek-shekullore të “Siglo XX”.

Duke ndjekur traditën e veprave të porositura nga kompozitorët për çdo sezon artistik, drejtuesi violinist Florian Vlashi ka zgjedhur 25 vepra nga 25 kompozitorë nga Galicia me 25 instrumentistë:

“Për 25-vjetorin e GISXX porosita 25 kompozitorë nga Galicia të shkruanin një vepër të shkurtër për secilin solist të grupit” – tha dirigjenti shqiptar Vlashi.

Më tej violinisti i njohur nga Durrësi tregon: “Pjesët duhej të ishin rreth 40 sekonda dhe të konceptoheshin në koncert si sekuenca të një trupi ose kadenca veprash të panjohura, të ngjashme me Sekuencat “beriane” por me një kohëzgjatje “weberniane””.

Kështu lindën Mikro-sekuencat – vijon Vlashi. Janë mikro-histori muzikore ose aforizma instrumentale. Nëse një aforizëm është një roman në një rresht, një Mikro-sekuencë është një sonatë në një pentagram”.

Në koncertin e 19 Nëntorit do të jetë dhe premiera e këtyre xhevahireve të vogla instrumentale nga “mikrokozmosi ynë galician” – nënvizon artisti shqiptar.

“Siglo XX”, 25 vjet koncerte dhe vlerësime

Grupi Instrumental “Siglo XX” me qendër në Corunja gjatë këtyre 25 viteve ka një aktivitet të ngjeshur.
Me 155 premiera botërore, mbi 200 vepra të interpretuara ai është njëherësh dhe grupi ndërkombëtar me më shumë autorë shqiptarë në repertorin e tij.

Që kur Florian Vlashi themeloi në Korunja grupin instrumental “Shekulli i XX”, lista e kompozitorëve shqiptarë,veprat e të cilëve janë dëgjuar dhe duartrokitur nga spektatorët e huaj në 25 vite me koncerte është e gjatë nga F. Ibrahimi, H. Zacharian, Th. Simaku, A. Peçi, Aliaj, R. Rudi, D. Rudi, A. Koci, D. Çene, R. Dhomi, V. Tole, Z. Ballata, Gj. Gjevelekaj etj.

Grupi Instrumental “Shekulli i XX”, që drejtohet nga violinisti Florian Vlashi ka marrë ndër vite vlerësimet e medias spanjolle, të cilat kanë nënvizuar edhe kontributin e familjes Vlashi, e veçanërisht të babait të ndjerë regjisor, përkthyes e shkrimtar Gjergj Vlashi, për kulturën evropiane.

Një vit më parë kritiku muzikor i “Mundoclasico”, Paco Yanez shkruante: “Udhëtimi i familjes Vlashi në të gjithë Evropën ka pasur gjithmonë të njëjtin udhërrëfyes, të drejtuar, siç na tha Florian Vlashi në intervistën e tij për gazetën tonë dhjetë vjet më parë, nga “sindroma e troubadour” që ka sjellë kaq shumë muzikantë nga një vend në tjetrin në të gjithë botën.

Një brez i ri i familjes së tij tani po shkon në Evropën Qendrore, ku Daniel Vlashi i është bashkuar “Deutsches Symphonie Orchester Berlin” si violinist.

Në rrugëtimin e tij në kontinent, pa dyshim që trashëgimia dhe idealet evropiane të Gjergj Vlashit do ta shoqërojnë atë, siç bëjmë të gjithë ne që e kemi njohur, duke na nxitur të ndërtojmë botën nga ky humanizëm dhe respekt i figurave kulturore si e tija-përfundon kritiku Yanez.”

“Siglo XX” sjell autorët shqiptarë në skenat europiane

Violinisti Florian Vlashi punon që nga viti 1992 në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, tregon përvojën e tij për interpretimin e veprave të kompozitorëve shqiptarë.

“Para tri dekadave, kur fillova punë në Spanjë tek “Orquesta Sinfónica de Galicia”, u gjënda në mes 80 muzikantësh të ardhur nga mbi 27 vënde të botës – kujton violinisti shqiptar, duke shtuar se “secili prej tyre ishte një “pjesëz” e vëndit të tij“.

Bashkë me mjaft kolegë të tjerë nëpër Europë, edhe artisti durrsak e ka parë prezantimin e muzikës shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë si detyrë mjaft të rëndësishme.

“Kjo është detyra morale e secilit prej nesh dhe i detyrohet aq shumë kulturës e shkollës së vendit ku u formuam”.

Florian Vlashi, së bashku me familjen, organizon çdo dy vjet në Durrës Bienalen “Netët e Muzikës Klasike”.
Bashkëshortja violonçeliste Rediana Llukaçi, dhe djemtë instrumentistë Daniel dhe Martin Vlashi janë pjesë e veprimtarive artistike të prindërve.

Bashkë me instrumentistët shqiptarë që nga viti 2003 në skenat e qytetit bregdetar janë ngjitur edhe instrumentistë, pjesmarrës të Grupit “Shekulli i XX”, të cilët nën drejtimin e violinistit Florian Vlashi kanë interpretuar vepra nga autorë vendas dhe të huaj.